Ministri Buja udhëton për një vizitë dy ditore në Bullgari
Prishtinë, 19 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, sot udhëton për një vizitë dy ditore në Bullgari, me ftesë të kryeministrit të Bullgarisë, Boyko Borisov.
Gjatë qëndrimit në Bullgari, ministri Buja do të marrë pjesë në konferencën rajonale ministrore me temë Programi digjital për Evropën - sfidë apo realitet.
Gjithashtu, ministri Buja do të takohet edhe me ministrin e Arsimit dhe të Shkencës së Bullgarisë, me të cilin do të diskutojë format e bashkëpunimit në fushën e arsimit në përgjithësi.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, ministri Buja është takuar edhe me ambasadorin e Bullgarisë në Prishtinë, Bobi Bobev, me të cilin ka biseduar për mundësinë e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e arsimit.
Ministri Buja dhe ambasadori Bobev ndër të tjera biseduan edhe për konferencën rajonale ministrore me temë Programi digjital për Evropën - sfidë apo realitet, që do të mbahet në Sofje, më 20 shtator 2012.