Ministri Buja takoi dekanët e fakulteteve të UP-se
Prishtinë, 19 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, është takuar sot me dekanët e njësive akademike të Universitetit Hasan Prishtina në Prishtinë, me të cilët bisedoi për mundësitë e zgjidhjes së situatës së krijuar në këtë Universitet në një afat sa më të shpejtë kohor.
Dekanët, me këtë rast, falënderuan ministrin Buja për ftesën për takimin e përbashkët dhe po ashtu edhe për qëndrimin e paanshëm gjatë këtyre ditëve, duke e respektuar autonominë vendimmarrëse të Universitetit Hasan Prishtina.
Ministri Buja, por edhe dekanët ishin të mendimit për një zgjidhje të përshpejtuar dhe të qëndrueshme në aspektin ligjor.
Gjatë këtij takimi u pajtuan që të formohet Këshilli Drejtues me mandat të përkohshëm, i cili do të zgjedhë ushtruesin e detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, deri në aprovimin e amendamentimit të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Statutit të Universitetit.
Ministri Buja po ashtu theksoi se tashmë është aprovuar në Qeveri ndryshim-plotësimi i Ligjit për Arsimin e Lartë. Gjithashtu, pas amendamentimit të Ligjit, i cili do të procedohet për ndryshim në Kuvend nga Qeveria, do të amendamentohet edhe Statuti i Universitetitit Hasan Prishtina.