23 Dhjetor 2024

Ministri Buja, synimi ynë kryesor është cilësia në arsim

Prishtinë, 21 shkurt - Konferenca dyditore “Rishikimi i Përbashkët Vjetor (RPV) 2013”, e organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë - Departamenti për Integrime, ka filluar punimet dhe ka për qëllim që  të gjitha  palët me interes, përfshirë këtu edhe donatorët, të  prezantojnë  të arriturat, sfidat dhe vështirësitë e identifikuara gjatë procesit të implementimit të Strategjisë për Zhvillimin e Arsimit 2011-2016, me theks  zhvillimet në vitin 2012.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, në fjalën e hapjes, tha se angazhimi dhe përkushtimi i MAShT dhe donatorëve për cilësi më të mirë në arsim po realizohet me sukses.

Ministri Buja përmendi të arriturat e MAShT  gjatë 2012, me theks të veçantë ngritjen e infrastrukturës shkollore, transformimin e Fakultetit të Edukimit, i cili, sipas tij, do të ndikojë  seriozisht edhe në transformimin e Universitetit të Prishtinës.

“Me këtë  veprim ne do të krijojmë mundësi të kemi kuadro të  nivelit, të cilat do të aftësojnë të rinjtë tanë për synimet më të larta të arritjeve intelektuale e  shkencore në të ardhmen”, tha ministri Buja.

Ministri gjithashtu përmendi  themelimin e  Agjencionit për  Arsim dhe Aftësimi Profesional dhe të Rritur,  si dhe Agjencinë për Kurrikula dhe Standarde.

Ministri Buja derisa ka falënderuar donatorët për ndihmën që po i dhënë sektorit të arsimit, tha “synim yni mbetet cilësia, e krahasueshme me vendet evropiane, gjë që mund të arrihet në saje te angazhimeve tona të përbashkëta dhe me përkrahjen e partnerëve tanë zhvillimorë”.

Ingrid Johansson, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Suedisë në Kosovë, e cila njëherësh është koordinatore e donatorëve të arsimit në Kosovë , tha se “arsimi në Kosovë, gjatë këtyre viteve, ka përballuar shumë sfida, por njëkohësisht ka arritur rezultate të lakmueshme.

Jan Peter Olters, nga Banka  Botërore, ka përgëzuar MAShT-in për sukseset e arritura  sidomos në procesin reformave  në arsim për të gjitha nivelet, duke shtuar se duhet të vazhdojë rrugëtimin drejt integrimeve, rritjes së kapaciteteve  dhe  gjithëpërfshirjes në arsim. “Banka Botërore do të vazhdojë të mbështesë  proceset arsimore në Kosovë edhe në të ardhmen me qëllim të arritjes së cilësisë dhe arsimimit të  mirëfilltë të gjeneratave të reja” tha z. Olters .

Sophi Beaumont, nga Komisioni Evropian, tha se Bashkimi Evropian i kushton rëndësi të veçantë  sektorit të arsimit në të gjitha vendet dhe se në këtë  aspekt  do t’i kontribuojë nxitjes së zhvillimit dhe arsimimit edhe të shoqërisë kosovare.

 “Është me rëndësi të veçantë  që të përpilohen programe sipas kërkesave të tregut dhe ekonomisë evropiane globale, të aftësoni kuadrove  që  do të jenë në gjendje të konkurrojnë edhe në tregun evropian të punës dhe të përballojnë sfidat e së ardhmes. MAShT duhet të diskutojë dhe të përcaktojë nevojat dhe prioritetet që ka që të shohim se ku mundë të ndihmojmë edhe më tutje”,  theksoi znj. Beaumont.

Ndryshe , konferenca “ Rishikimi i Përbashkët Vjetor 2012” është  e treta me radhë të cilën e organizon MAShT dhe e vetmja e këtij lloji në institucionet larta të vendit.

Në fund të konferencës pritet të dalin rekomandimet më të mira, të bazuara sipas nevojave, prioriteteve dhe mundësive buxhetore, e që duhet të realizohen gjatë vitit 2013.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)