Ministri Buja shpërndau Abetaren për nxënësit e klasës së parë
Prishtinë, 2 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, gjatë ditës së sotme, ka vizituar shkollën fillore Abdyl Frashëri në Prizren.
Përveç urimeve për fillimin e vitit të ri shkollor për të gjithë nxënësit në Kosovë, ministri Buja ka shpërndarë në mënyrë simbolike edhe Abetaren për nxënësit e klasës së parë, të cilët do të vijojnë mësimin në këtë shkollë.
Ministri Buja, më pas tha se, është kënaqësi e veçantë që të ndajë tekstet shkollore për këta fatosa, të cilët janë e ardhmja e shtetit tonë.
Ndjehem me privilegj sepse jam në kryeqytetin shpirtërorë të gjithë shqiptarëve dhe jo rastësisht po shpërndajmë edhe abetaret që janë të gjithë gjeografisë shqiptare theksoi ministri Buja .
Ministri i Arsimit, ua ka uruar fillimin e vitit të ri shkollor edhe mësimdhënësve të kësaj shkolle dhe theksoi se shkolla Abdyl Frashëri është njëra nga 10 shkollat e përzgjedhura nga Ministria e Arsimit për pilotimin e kurrikulës së re. Ndërsa, ministri Buja shtoi se kjo shkollë ka dhënë kuadro të mira në shumë fusha të ndryshme të jetës në Kosovë, prandaj shprehu besimin e tij se edhe implementimi i kurruikulës së re( pilotimi) do të jetë i suksesshëm.
Gjatë këtij viti shkollor, rreth 29 mijë nxënës janë ulur për herë të parë në bankat shkollore, pra janë regjistruar në klasën e parë.