Ministri Buja shpërndan certifikatat e para për intitucionet e AAP
Prishtinë, 12 qershor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, mori pjesë sot në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për ofruesit e parë të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, të akredituar nga Autoriteti Kombëtarë i Kualifikimeve.
Ministri Buja vlerësoi se janë arritur rezultate të kënaqshme në procesin akreditimit të institucioneve, të cilat ofrojnë kualifikime në këtë fushë dhe se kjo nismë do të pasohet me angazhime të tjera të Ministrisë së Arsimit, në avancimin e procesit arsimor në përgjithësi.
Ministri Buja premtoi mbështjetje të vazhdueshme institucionale në këtë proces edhe në të ardhmen.
Ndërsa, kryetari i Këshillit Drejtues të Autoritetit Kombëtarë të Kualifikimeve, Ragip Gjoshi, vlerësoi lartë punën që është bërë nga Autoriteti Kombëtarë i Kualifikimeve, ndërkaq shprehu bindjen e tij se me akreditim krijohet besueshmëri më e madhe e kualifikimeve dhe hapet porta që këto kualifikime të jenë të barasvlefshme me kualifikimet e shteteve evropiane.
Kryetari i KD të AKK-së, Gjoshi bëri të ditur se procesi i validimit dhe akreditimit të institucioneve ka filluar me testimin që u është bërë dispozitave ligjore, të cilat e rregullojnë këtë fushë, me njëmbëdhjetë institucionet të cilat janë përfshirë në këtë proces dhe më pas, në shkurt të vititi 2012 u është bërë ftesë të gjitha institucioneve, të cilat ofrojnë kualifikime përkatëse.
Në anën tjetër, drejtoresha e Autoritetit Kombëtarë të Kualifikimeve, Teuta Danuza, theksoi se Autoriteti Kombëtarë i Kualifikimeve, i themeluar nga Ministria e Arsimit në nëntor të vitit 2009 ka arritur që për një kohë të shkurtër të realizojë të gjitha objektivat, të përcaktuara me Ligjin për Kualifikimet Kombëtare.
Danuza pohoi se AKK për një periudhë më pak se dy vjeçare ka zhvilluar Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve, ndërkaq tani ka filluar me implemntimin e kësaj kornize.