Ministri Buja priti rektorin e Universitetit të Primorjes
Prishtinë, 14 janar - Ministri Buja priti rektorin e Universitetit të Primorjes (Slloveni), Dragan Marushiq, me të cilin biseduan për mundësitë e bashkëpunimit të këtij institucioni me Universitetin e Prishtinës dhe institucione tjera të arsimit të lartë në Kosovë.
Ministri Buja fillimisht njoftoi rektorin Marushiq me zhvillimet në sistemin e arsimit në Kosovë, njëherësh e uroi për punë të suksesshme të Universitetit të Primorjes.
Ai tha se mbështetë krijimin e mundësive të bashkëpunimit të ndërsjellë të institucioneve të larta arsimore të dy vendeve mike.
Por, ministri theksoi se do të ishte me interes që ky bashkëpunim të zhvillohej në fushën e hulumtimit shkencor dhe në sektorë tjerë të arsimit të lartë, përfshirë edhe shkëmbimin e kuadrove dhe studentëve.
Ne kemi një popullatë shumë të re, të cilën po përpiqemi ta menaxhojmë sa më mirë që është e mundur përmes ofrimit të mundësive për shkollim cilësor, theksoi ministri Buja.
Në vazhdim, ministri Buja tha se ka vështirësi në ndërlidhjen e edukimit me ekonominë, por theksoi se jemi në rrugë të mirë që këtë ta bëjmë ashtu si duhet.
Po bëjmë gjithçka që është e mundur, konform standardeve bashkëkohore, që të diplomuarit tanë të jenë konkurrent me moshatarët e tyre edhe në tregun evropian të punës tha ministri Buja.
Ndërkaq, rektori Marushiq gjithashtu tha se Kosova është në fazat e para zhvillimore të ekonomisë së vendit dhe sipas nesh do të duhej të fokusohej në fushat e shkencave natyrore, me qëllim që kjo gjeneratë të përballojë më lehtë zhvillimet dhe ndryshimet rrënjësore.
Ai foli edhe për përvojat që ky institucion i lartë arsimor ka edhe me vende të tjera të botës, veçanërisht me Kanadanë.