Ministri Buja priti në takim përfaqësues të UNICEF-it
Prishtinë, 10 dhjetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka pritur sot në takim shefen e Zyrës së UNICEF-it, Laila Omar Gad, ku është diskutuar lidhur me rezultatet e dala nga mbledhja plenare mbi planin afat-mesëm të UNICEF-it, si dhe prioritetet për dy vitet e ardhshme, ku përfshihet edhe bashkëpunimi i mëtejme me Ministrine e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Ministri Buja dhe shefja e UNICEF-it, Omar Gad, janë pajtuar që të shtojnë bashkëpunumin lidhur me identifikimin e fëmijëve jashtë sistemit shkollorë, fëmijëve të margjinalizuar, përfshirjen e fëmijëve me vështirësi në të nxënë, në shkolla të rregullta, si dhe integrimin e fëmijëve të riatdhesuar në sistemin e arsimit në Kosovë.
Ministri Buja dhe përfaqësuesja e UNICEF-it, po ashtu kanë diskutuar dhe kanë rënë dakord që të formojnë grupin e përbashkët punues, i cili do të bëjë mbledhjen e të dhënave në terren, të cilat do tiu nevojiten politikbërësve gjatë planifikimit, realizmit dhe menaxhimit të projekteve, programeve dhe aktiviteteve të tyre të punës.
Ministri Buja, me këtë rast, është zotuar se bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Arsimit dhe UNICEF-it, në të ardhmen do të jetë edhe më i intensifikuar dhe më i specifikuar, duke pasur parasysh faktin se UNICEF ka ndihmuar arsimin në Kosovë, duke filluar nga gjërat më elementare.
Më tej, ministri Buja ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet MAShT-it dhe sektorëve të tjerë si: shëndetësisë, punës dhe mirëqenies sociale, kulturës etj., është në nivel të kënaqëshëm dhe kjo ka bërë që të eliminohen disa nga parregullsitë të cilat e kanë shoqëruar arsimin në Kosovë.
Ministri Buja, ka folur edhe për nivelin e arsimit parashkollorë, si dhe interesimin e vazhdueshëm të MAShT-it për të investuar në ngritjen e cilësisë, përmes trajnimit të stafit profesional.
Ndërkaq, Omar Gad ka thënë se, përkrahja e UNICEF-it nuk do të mund të ishte realizuar me sukses, sikurse të mungonte bashkëpunimi nga ana e Ministrisë së Arsimit, DKA-të dhe drejtorët e shkollave.