Ministri Buja priti në takim ambasadorin e ri të Maqedonisë
Prishtinë, 15 janar - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Maqedonisë në Republikën e Kosovës, Ilija Strashevski, me të cilin ka biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e arsimit.
Ministri Buja me këtë rast, ka theksuar se Kosova dhe Maqedonia kanë raporte korrekte dhe frytdhënëse, ndërkaq ka shprehur gatishmërinë që të kontriboj edhe më tej në çështjen e reciprocitetit të bashkëpunimit.
Ministri Buja ka folur edhe për Memorandumin e Bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, e cila së shpejti pritet që të finalizohet dhe të nënshkruhet nga ministrat e të dyja vendeve.
Kjo marrëveshje, theksoi ministri Buja, do të lehtësoj procedurat e nostrifikimit të diplomave dhe më përfituesit në këtë rast do të jenë studentët.
Ndërsa, ambasadori Strashevski, tha se bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Maqedonisë është në nivelin më të lartë, porse pret thellim të bashkëpunimit edhe me institucione të tjera të arsimit në Kosovë.