Ministri Buja përuroi dy shkolla dhe një institucion parashkollor
Prishtinë, 24 janar - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, me bashkëpunëtorë, ka qëndruar sot në qytetin e Shtimes, ku ka përuruar objektet e reja të dy shkollave dhe një institucion parashkollor.
Pas një takimi të shkurtër me kryetarin e Komunës, Naim Ismajli, së bashku kanë vazhduar për të përuruar institucionin parashkollor Albiona Asllani, ku ministri bashkëbisedoi me vogëlushët, tashmë të vendosur në këtë institucion.
Me pas, ministri Buja vazhdoi për në Belincë të Shtimes, ku u përurua shkolla e re. Ministri porositi nxënësit që të mësojnë, të jenë të ditur dhe për këtë të shfrytëzojnë edhe kushtet e mira që kanë tashmë në shkollë.
Ndërsa, një manifestim i madh ishte organizuar në objektin e ri të shkollës Emin Duraku në Shtime.
Me këtë rast, ministri Buja tha se është i privilegjuar që ndodhet në komunën e Shtimes për të përuruar tri objekte të rëndësishme arsimore: dy shkolla fillore dhe një institucion parashkollor.
Unë marr pjesë në këtë gëzim të madh të Shtimes për nder të 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë ne përuruam 8 shkolla dhe një fakultet. 5 vjetorin e pavarësisë së Kosovës e nisëm me 3 objekte arsimore në Shtime. Do vazhdojmë dhe nuk do të ndalemi, tha ministri Buja.
Më pas ministri theksoi vlerën e investimeve në këtë shkollë e që është 1,689,116.56 euro dhe tha se është një investim shumë i madh i Republikës së Kosovës, i qeverisë së saj, i Ministrisë së Arsimit dhe jemi të bindur se është investimi më i madh, më kuptimplotë, më i logjikshëm dhe më i mirë, sepse ata që dinë ku duhet investuar, investojnë në dije dhe ky investim te ju është me domethënie.
Nuk ka mundësi të jetë një objekt kaq i mirë, kaq i bukur, kaq joshës dhe të mos ketë motiv arsimtari për të ligjëruar dhe nxënësi për të mësuar dhe kjo shkon në kuadër të motos sonë se jemi për cilësi në arsimin e Kosovës, tha ministri Buja.
Edhe kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli falënderoi Qeverinë e Kosovës për investimet e bëra dhe tha se këto kushte të mira ndihmojnë në mësimdhënëie dhe mësimnxënie më të mirë.
Për ndërtimin e shkollës fillore në Shtime, MAShT ka investuar 1,689,116.56 euro.
Hapësira e ndërtimit të objektit shkollor me sipërfaqe bruto është 5280 m² me Sallë të Edukatës Fizike, me sipërfaqe 650m² si dhe rregullimi i parterit. Sipërfaqja totale e ndërtimit është 5930m².
Objekti shkollor përmban këto kthina: 22 dhoma të mësimit, 3 laboratorë, 3 dhoma parafillorë, sallën e arsimtarëve, kthinat administrative, kthina e bibliotekës me leximore, kthina e psikologut, kthina e mjekut të shkollës, 2 kthina të recepcionit, salla e edukatës fizike, kthina për garderobë te salla.
Ndërsa, për ndërtimin e shkollës fillore në Belincë, MAShT ka investuar 139,261.74 euro.
Hapësira e ndërtimit të objektit shkollor me sipërfaqe bruto është 580 m² si dhe rregullimi i parterit.
Objekti shkollor përmban këto kthina: 5 dhoma të mësimit, sallën e arsimtarëve, tualetet, hollin dhe hapësirat teknike në bodrum.