Ministri Buja në konferencën Horizon 2020 në Mal të Zi
Prishtinë, 4 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, ka mbajtur sot një fjalim në konferencën për kërkim shkencor dhe inovacion Horizon 2020, e cila po mbahet në Budvë.
Ministri Buja po qëndron në Mal të Zi me ftesë të ministres së Shkencës së Malit të Zi, znj. Sanja Vlahoviq, për të marrë pjesë në konferencën, e cila ka për qëllim adresimin e sfidave të përbashkëta dhe rritjen e përpjekjeve në hulumtim dhe inovacion.
Gjatë fjalimit të tij, ministri Buja tha se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) e Republikës së Kosovës po angazhohet për zhvillimin e një shoqërie të dijes, duke ndërtuar një sistem arsimor gjithëpërfshirës, të cilësisë së lartë.
MAShT tashmë ka arritur të kompletojë infrastrukturën ligjore dhe reformat e filluara në të gjitha nivelet e arsimit po ecin sipas planifikimit në drejtim të arritjes së synimeve tona për një arsim me standarde evropiane, tha ministri Buja, ndërsa theksoi se në këtë drejtim, MAShT ka përkrahur punën dhe përpjekjet e komunitetit shkencor, së fundi edhe përmes konsolidimit të Kornizës Ligjore dhe Kornizës së Politikave Strategjike për të mbështetur zhvillimin e aktiviteteve në fushën e kërkimit dhe inovacionit.
Rishikimi i Ligjit për Kërkimet Shkencore, tha ministri Buja, ofron një qasje të hapur të përkrahjes për komunitetin shkencor, për të marrë pjesë në fondet publike të alokuara për kërkim, si dhe mundëson që gjatë viteve në vijim të ndahen më shumë mjete nga buxheti i Republikës së Kosovës për fondin e shkencës. MAShT ka finalizuar edhe Strategjinë Nacionale për Inovacion 2013/ 2020, e cila i jep një shtytje të hovshme përpjekjeve për inovacion, si parakusht i zhvillimit ekonomik në vend, theksoi ai.
Kërkimi shkencor dhe inovacioni sot konsiderohen si parametra mjaft kontribues dhe të qëndrueshëm të zhillimit ekonomik dhe social në mbarë botën. Duke e ditur këtë fakt dhe duke adresuar agjendën e zhvillimit ekonomik, Republika e Kosovës ka vendosur kërkimin dhe inovacionin ndër prioritetet e rëndësishme tani e në vitet në vijim, tha ministri Buja.
Ministri Buja tha se ne jemi duke përkrahur aktivitetin e kërkimit dhe inovacionit në Republikën e Kosovës, duke rritur posaçërisht bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në këtë fushë. Përpjekjet tona të përbashkëta dhe bashkëpunimi ynë rajonal në forma të ndryshme është krucial në avancimin e agjendave tona nacionale drejt ekselences kërkimore dhe zhvillimit ekonomik, tha ministri.
Përvojat tona të deritashme të bashkëpunimit, theksoi ministri Buja, si në hartimin e strategjive të përbashkëta, në bashkëpunim me programe e projekte, por edhe kjo ngjarje që ne sot po marrim pjesë, do duhej të konsiderohen vazhdimisht si shembuj të mirë për adresimin e përpjekjeve tona të përbashkëta drejt integrimit të vendeve tona në Zonën Evropiane të Kërkimit.
Ministri Buja përmendi edhe faktin se kapacitetet tona kërkimore dhe inovative duan ende punë për të arritur në nivelin e duhur ku janë shumica e vendeve të BE-së, prandaj ai tha se përpjekjet që mund të ndërmerren më tutje bashkarisht do të jenë kyçe në adresimin e sfidave në këtë rrugë.
Në shumë aspekte ne mund ti bashkërendojmë aktivitetet që ti adresojmë sfidat me të cilat ballafaqohemi, veçanërisht duke shfrytëzuar potencialin rajonal për zhvillim, tha ministri Buja.