Ministri Buja ndau dhurata për fëmijët e SOS Fshatrave të Kosovës
Prishtinë, 21 dhjetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja me bashkëpunëtorë, ka vizituar "SOS Fshatrat e fëmijëve të Kosovës" në Prishtinë, me rastin e festave të fundvitit 2012.
Ministri Buja , me këtë rast, fëmijëve të kësaj qendre ua dhuroi nga një dhuratë simbolike e duke shprehur kështu gjestin human dhe vullnetin e mirë të institucionit më të lartë arsimor të vendit për kujdesin që duhet të kemi ndaj kësaj shtrese të shoqërisë sonë. Ndërsa, fëmijët e kopshtit kishin përgatitur një program me këngë për ta pritur ministrin Buja.
Ministri i Arsimit, në një prononcim për gazetarë u shpreh të jetë i emocionuar. Nuk ka mundësi të jesh në mesin e fëmijëve dhe të mos marrësh asgjë nga ata, prandaj unë në këtë mes jam shumë i emocionuar, tha ai.
Ministri Buja tha se kjo kujdesje për fundvit, nuk është e tëra. Unë fillimisht u takova me drejtoreshën dhe stafin e SOS-fshatërave. Biseduam se ku Ministria mund të vejë gishtin në këtë qendër, tha ministri Buja dhe shprehu gatishmërinë e MAShT për të ndihmuar edhe më shumë qendrën, natyrisht brenda mundësive që ka Ministria.
Edhe drejtoresha e SOS-it, Nizahat Salihu theksoi se presin më shumë ndihmë financiare nga institucionet e vendit në mënyrë që kjo qendër të funksionojë pa probleme.
Ministri Buja dhe drejtoresha Salihu u pajtuan që shumë shpejt ta nënshkruajnë një Memorandum Bashkëpunimi në mënyrë që të identifikohen fushat ku MAShT mund të ndihmojë.