Ministri Buja ndau çmimin vjetor "Shaban Jashari"
Prishtinë, 6 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, në ceremoninë solemne me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit, ka ndarë çmimin vjetor Shaban Jashari, për mësimdhënësin më të dalluar.
Çmimi Shaban Jashari iu nda Beatrisa Demirit , mësimdhënëse në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët Mihal Grameno në Rahovec, e cila u vlerësua për performancë të mirë në punë.
Ministri Buja me këtë rast ka vlerësuar lartë rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të mësimdhënësve në edukimin e gjeneratave të reja, ndërkaq foli edhe për jetën dhe veprën e Shaban Jasharit, të cilin e cilësoi si një ndër figurat më të çmuara.
7 Marsi dhe shpërblimi Shaban Jashari janë shumë të ndërlidhur dhe besoj shumë që ai mësimdhënës që sot ka nderin të marrë këtë çmim është i privilegjuar, për faktin se është vlerësuar puna dhe angazhimi i tij, është shprehur ministri Buja.
Ministri Buja, po ashtu, tha se është duke u punuar që arsimi në Kosovë të përafrohet me atë evropian dhe në përfshirjen e të rinjëve në arsimin e lartë.
Arsimi po lëviz, po zhvillohet dhe ka plotë suksese. Ne sot kemi edhe një përvjetor tjetër që po kështu është shumë i veçantë. Është përvjetori i themelimit të tri universiteteve publike në Kosovë, Gjakovës, Gjilanit dhe Mitrovicës, theksoi ministri Buja.
Ndërsa, mësuesja nga shkolla Mihal Grameno në Rahovec, Beatrisa Demiri, e cila mori çmimin Shaban Jashari, tha se ndihet e nderuar që iu nda ky çmim me këtë emër të madh të mësuesit Shaban Jashari.
Ky shpërblim na shtynë edhe më shumë dhe na shton përgjegjësinë që edhe më tej të kontribuojmë në arsimimin e gjeneratave të reja dhe pajisjen e tyre me dituri që nesër të jenë të aftë ti dalin zot atdheut, ka thënë ajo.
Në këtë ceremoni janë ndarë edhe mirënjohje për 30 mësimdhënës të dalluar nga komuna të ndryshme të Kosovës.
Ministri Buja me bashkëpunëtorë, gjatë ditës së sotme, ka bërë edhe homazhe te varri i Shaban Jasharit në Prekaz, emrin e të cilët e bart çmimi tradicional Shaban Jashari, i cili tashmë që tre vjet i jepet mësimdhënësit të dalluar për performancë pozitive, komunikim të mirë kolegial, bashkëpunim me prindër, nxënës, etj.