Ministri Buja mori pjesë në fushatën Ta pastrojmë Kosovën
Prishtinë, 24 maj - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, mori pjesë në fushatën Ta pastrojmë Kosovën, e cila është iniciuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Bashkë me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare si dhe të shoqërisë civile, ministri Buja mori pjesë aktive në fillimin e kësaj fushate në lagjen Arbëria në kryeqytet.
Me këtë rast, ministri Buja, ndër tjera tha se më vjen mirë që jam pjesë e këtyre aktivitetve që janë shumë të rëndësishme për shëndetin tonë.
Kjo është punë e mirë për shëndetin tonë, por do të ishte edhe porosi e përhershme e imja dhe e gjithë kolegëve të mi, Qeverisë së Kosovës dhe OJQ-ve besoj, që të mos jemi vetëm më 24 maj aktiv në pastrimin e ambinetit, por të jemi vazhdimisht, tha ministri Buja dhe theksoi se të gjithë ne duhet të kujdesemi për ambinetin, duke filluar nga shtëpitë tona, oborret, vendet e punës, por edhe hapësirat tjera publike.
Të gjithë flasim se kemi dëshirë që Kosova të jetë e pastër, në fakt investojmë pak që Kosova të jetë e pastër, tha ministri Buja.
Ministri i Arsimit theksoi edhe vendimin e tij që edhe shkollat të marrin pjesë në këtë aksion për pastrimin e ambinetit.
Ne si Ministri e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, më kërkesën e Ministrisë së Ambientit dhe atyre që e kanë filluar këtë aksion i kemi liruar të gjitha shkollat nga mësimi, për të qenë aty ku duhet sot, për të pastruar ambientin e tyre, tha ministri Buja dhe uroi që edhe ditët tjera të vitit ti ngjajnë 24 majit, në mënyrë që të jetojmë në ambinet të pastër dhe të shëndetshëm.