22 Dhjetor 2024

Ministri Buja: Mësimi do të fillojë më 1 shtator

Prishtinë, 31 gusht - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, sot,  në një konferencë me gazetarë, ka bërë të ditura përgatitjet që i ka bërë MASHT-i për një fillim sa më të mirë të vitit të ri shkollor 2011/2012, ndërsa ka folur edhe për punën 6 mujore që është bërë në këtë dikaster, prej se ai ka marrë detyrën si ministër.

Duke folur për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor, ministri Buja tha se për dallim nga vitet tjera, “ne si Ministri kemi ngritur një komision të nivelit të lartë, i cili në bashkëpunim me 7 sektorët e nivelit rajonal, gjatë muajit gusht ka vizituar çdo objekt shkollor në mënyrë që të ketë informacion të drejtpërdrejtë për gjendjen teknike të shkollave, përgatitjen kadrovike dhe regjistrimin e nxënësve”.

Ministri Buja theksoi se mësimi do të fillojë më 1 shtator në rreth 99 për qind, me përjashtim të një përqindje të vogël (rreth 20 shkolla), ku ende janë duke u bërë renovime, por edhe në këto shkolla mësimi do të fillojë së shpejti.

“Në shumicën e shkollave, respektivisht në 134 shkolla mësimi zhvillohet me një ndërrim, në 542 shkolla mësimi zhvillohet në dy ndërrime, ndërsa është edhe një numër i vogël i shkollave, pra në 36 shkolla mësimi zhvillohet në 3 ndërrime”, theksoi ai.

Ndërsa, sa i përket përmirësimit të infrastrukturës shkollore, ministri Buja theksoi se janë 34 shkollat që janë duke u ndërtuar, ndërsa në fillim të shtatorit do të jenë të gatshme dy objekte shkollore (Shkolla e Mesme Teknike në Drenas dhe Qendra Burimore- Shkollë Speciale në Prishtinë), derisa gjatë shtatorit do të përfundojnë punimet edhe në dy të tjera dhe deri në fund të vitit përfundojnë edhe tri objekte të tjera.

Viti i ri shkollor fillon me rreth 32 mijë nxënës që këtë vit fillojnë shkollën për herë të parë dhe me 24 mijë që do të vijojnë klasën e dhjetë; me 25 mijë punëtorë në nivelin e arsimit parauniversitar; me 1151 shkolla (prej tyre 734 shkolla amë dhe 417 paralele të ndara).

Ndërkohë, për 6 mujorin e punës, në mesin e shumë të arriturave të shënuara për këtë periudhë kohore, ministri Buja përmendi aprovimin nga ana e Kuvendit të Kosovës të dy ligjeve: Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe atij për arsimin e Lartë.

Ministri Buja, poashtu përmendi se vetëm pak orë më parë, ai kishte nënshkruar një dokument shumë të rëndësishëm për arsimin parauniversitar: Kornizën e Kurrikulës për Arsimin Parauniversitar. Poashtu, si ngjarje të rëndësishme, ministri theksoi miratimin nga ana e Qeverisë të Strategjisë e Arsimit të Kosovës 2011/2016.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)