Ministri Buja merr pjesë në Forumin Botëror të Arsimit
Prishtinë, 28 janar - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, udhëtoi sot për në Britaninë e Madhe, me ftesë të sekretarit të Shtetit për Arsim në Britaninë e Madhe, Michael Gove, dhe ministrit për Universitete dhe Shkencë, David Willetts, ku do të marrë pjesë në Forumin Botëror të Arsimit (The Education World Forum), i cili mbahet në Londër nga data 28 deri më 30 janar 2012.
Në këtë forum vjetor, në të cilin do të marrin pjesë ministrat e arsimit nga të gjitha vendet e botës, temë bosht do të jetë politikbërja e arsimit në aspektin e cilësisë. Në forum do të diskutohet edhe për sfidat dhe mundësitë me të cilat ballafaqohet arsimi.
Ministri Buja po ashtu do të marrë pjesë edhe në Ekspozitën e Teknologjisë së Arsimit (British Educational Training and Technology Show- BETT).
Gjatë vizitës në Londër, ministri Buja do të ketë takime me ministrat e arsimit të shteteve më të zhvilluara, për të këmbyer përvojat e sistemeve më të avancuara ndërkombëtare të arsimit dhe njëkohësishtë për të lobuar për njohje të reja për vendin.