Ministri Buja merr pjesë në Forumin Botëror të Arsimit
Prishtinë, 6 janar - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, me ftesë të sekretarit të Shtetit për Arsim në Britaninë e Madhe, Michael Gove, dhe ministrit për Universitete dhe Shkencë, David Willetts, të shtunën udhëton për në Britani të Madhe, ku do të marrë pjesë në Forumin Botëror të Arsimit (The Education World Forum), i cili mbahet në Londër nga data 9 deri më 11 janar 2012.
Në këtë forum vjetor, në të cilin do të marrin pjesë ministrat e arsimit nga të gjitha vendet e botës, temë bosht do të jenë mësimi i praktikave për një botë ndryshme dhe teknologjia. Në forum do të diskutohet edhe për sfidat dhe mundësitë me të cilat ballafaqohet arsimi.
Ministri Buja po ashtu do të marrë pjesë edhe në Ekspozitën e Teknologjisë së Arsimit ( British Educational Training and Technology Show- BETT).
Gjatë vizitës në Londër, ministri Buja do të ketë takime me ministrat e arsimit të shteteve më të zhvilluara, për të këmbyer përvojat e sistemeve më të avancuara ndërkombëtare të arsimit dhe njëkohësisht për të lobuar për njohje të reja për vendin.