Ministri Buja mban ligjëratë në Universitetin Kinki në Osaka
Osaka, 8 tetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, në ditën e fundit të vizitës zyrtare në Japonisë, i shoqëruar nga rektori i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, Ibrahim Gashi, dhe ambasadori Shala, vizituan Universitetin Kinki në qytetin Osaka të Japonisë.
Delegacioni kosovar u prit nga presidenti i Universitetit, dr. Hitoshi Shiozaki, kryetari i bordit të drejtorëve, dr. Shimizu Yoshihiro, si dhe stafi akademik dhe menaxherial i universitetit.
Me ftesë të rektorit Shiozaki, ministri Buja mbajti një ligjëratë para studentëve të këtij Universiteti, ku foli për sistemin e arsimit në përgjithësi në Kosovë, të arriturat, sfidat dhe hapat e ardhshëm për reformimin e sistemit arsimor në Kosovë.
Po ashtu, gjatë vizitës së këtij Universiteti, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Kinki.
Ministri Buja gjithashtu vizitoi Institutin për Hulumtime Atomike, që është në kuadër të këtij universiteti, dhe i cili njihet si qendër e reaktorit nuklear për qëllime hulumtuese e shkencore.
Ndryshe, ministri Buja gjatë qëndrimit në Japoni ka marrë pjesë në Forumin për Shkencë dhe Teknologji, që u mbajt në Kijoto, forum në të cilin morën pjesë ministrat e vendeve të ndryshme të botës, ku debatuan për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inovacioneve.