Ministri Buja ka dorëzuar detyrën ministrit Bajrami
Prishtinë, 10 dhjetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka mbajtur konferencën përmbyllëse të mandatit të tij, në të cilën ka shpalosur aktivitetet kryesore që janë realizuar gjatë mandatit katërvjeçar në krye të këtij institucioni.
Ministri Buja fillimisht ka vlerësuar angazhimin e mediave për pasqyrimin korrekt të aktiviteteve të ministrisë, ndërkaq ka paraqitur edhe të arriturat dhe sfidat gjatë kësaj periudhe.
Ministri Buja ka theksuar se MAShT brenda periudhës 2011- 2014 ka realizuar dokumente të rëndësishme strategjike në funksion të zhvillimit afatgjatë të arsimit.
Gjatë kësaj periudhe kemi hartuar dokumentet strategjike si: Plani Strategjik i Kosovës 2011/2016, Korniza e Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar dhe hartimi i Kurrikulave Bërthamë, Standardet e Zhvillimit dhe të Mësuarit e Fëmijërisë së Hershme 0 deri 6 vjet, Korniza Kombëtare e Kualifikimeve, Strategjia e Komunikimit në Sektorin e Arsimit, Strategjia për Përmirësimin e
Praktikës Profesionale në Kosovë 2013/ 2020, Abetarja e përbashkët Kosovë- Shqipëri, Unifikimi i Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, ka theksuar ministri Buja.
Ministri Buja ka përmendur edhe themelimin e katër universiteteve të reja në Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë, si dhe aplikimin në procesin e Bolonjës, në vazhdën e angazhimeve të vazhdueshme për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë.
Ministri i Arsimit ka përmendur edhe trajnimin dhe licencimin e mbi 11 mijë mësimdhënësve, trajnimin për ECDL të mbi 13 mijë mësimdhënësve, anëtarësimin në projektin e vlerësimit ndërkombëtarë PISA, ndërtimin e katër Qendrave të Kompetencës në Prizren, Malishevë, Skenderaj dhe Ferizaj, themelimin e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, ndërtimin e 33 objekte shkollore, ndërtimin e shkollës model dhe fillimin e procesit të digjitalizmit të maturës dhe komponentëve të tjera që kanë të bëjnë me mësimin elektronik.
Ministri Buja po ashtu ka theksuar se MAShT gjatë kësaj periudhe është mbështetur vazhdimisht nga partnerët ndërkombëtarë, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë profesional.
Janë mbështetur mobilitetet afatshkurtra për hulumtim dhe shkencë, institucionet e arsimit të lartë kanë fituar projekte nga programet e Tempus-it dhe Erasmus-it, është bërë themelimi i Fondit të Përbashkët për sektorin e arsimit nga donatorët, ndarja e bursave për të studiuar në Universitetin e Sheffieldit, ku numri i përgjithshëm i studentëve përfitues nga vitit 2009 është 247, reformimi i Fakultetit të Edukimit, realizmi i projektit të librave shkencorë, kryesisht në fushën e mjekësisë, ku deri më tani janë realizuar dhe janë sjellë në Kosovë 83 tituj, miratimi i Ligjit të Arsimit Parauniversitar, Ligjit të Arsimit të Lartë, Ligjit të Arsimit Profesional, Ligjit të Arsimit për të Rritur dhe Ligjit për Veprimtarinë Kërkimore Shkencore, ka thënë ministri Buja.
Në fund, ministri Buja ka përmendur edhe botimin e teksteve për diaporën, programin në gjuhën rome dhe ndarjen e bursave për nxënësit dhe studentët e komuniteteve RAE.
Gjatë ditës së sotme, ministri Buja ka pritur ministrin e sapozgjedhur z.Arsim Bajrami, të cilit i ka dorëzuar detyrën dhe i ka uruar suksese në udhëheqjen e institucionit të arsimit më të lartë në vend.