22 Dhjetor 2024

Ministri Buja hapi aktivitetin “Java e Arsimit për të Gjithë”

Prishtinë, 23 prill - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, në shkollën e mesme teknike “ Fehmi Agani” në Klinë ,  ka shpallur të hapur aktivitetin “ Java e arsimit për të gjithë” me temë “Të rinjtë, shkathtësitë dhe puna”, me theks të veçantë zhvillimi i shkathtësive të të rinjve në shkollat tona.

Këtë javë shkollat do të realizojnë aktivitete të ndryshme edukativo-arsimore (sipas zgjedhjes së tyre: debate, ekspozita, orë letrare, shfaqje teatrale, dhe aktivitete tjera) në përputhje me temën  e përmendur.

Ministri i Arsimit, Ramë  Buja, me këtë rast tha se kjo javë është e karakterit global dhe  i kushtohet kryesisht zhvillimit dhe aftësimit profesional të të rinjve, përkatësisht aftësimit të tyre për jetën.

“Rezultati i juaj është evident ndonëse në kushte jo të mira, ndërkaq çështja e shkollave dhe arsimit profesional është brengë e të gjithë neve. Ne si institucioni më i lartë arsimor i vendit  po insistojmë që kjo të përmirësohet në vazhdimësi dhe në këtë kontekst  kemi marrë iniciativën dhe do të themelojmë Agjencionin për Arsim dhe Aftësim Profesional, i cili do të avancojë më shumë këtë sektor të arsimit“, tha ministri  Buja.

Në vazhdim, ministri Buja me bashkëpunëtorë  ka vizituar punëtoritë e kësaj shkolle ku po zhvillohej mësimi praktik dhe ku ishin ekspozuar edhe punimet nga ky proces mësimor, me ç`rast për së afërmi bisedoi  edhe me nxënësit lidhur me procesin mësimor, kushtet për mësim dhe çështje tjera.

“Porosia ime është që të mësoni sa më shumë. Kosova është dhe do të jetë vend i mundësive të mëdha dhe me perspektivë të ndritshme edhe për ju të dashur nxënës”, theksoi ministri Buja.

Ministri Buja dhe kryetari i  komunës së Klinës, Sokol Bashota, kanë vizituar objektin në ndërtim të shkollës së mesme në qytet dhe u shpreh se kjo shkollë do të ndërtohet sa më parë që të jetë e mundur.

Për nxënësit e dalluar në mësim dhe punën praktike, ministri Buja ka ndarë mirënjohje dhe shpërblime të veçanta.

Drejtori Komunal i Arsimit në Klinë, Ramiz Rrusta e njoftoi ministrin Buja me zhvillimet aktuale në fushën e arsimit në këtë komunë, e cila sipas tij, përgjithësisht është në nivelin e duhur. Ai tha se komuna e Klinës ka rreth 12 mijë nxënës, ndërkaq për mësimdhënie janë të angazhuar 640 punëtorë arsimor.

Ndryshe, fushata globale për Javën e Arsimit për të Gjithë është aktivitet i shpallur nga UNESKO dhe çdo vit mobilizon vendimmarrësit dhe ministrat e arsimit nga e gjithë bota  me synim që të  promovoj arsimin si e drejtë fondamentale e çdo individi.

Kësaj iniciative i është bashkangjitur edhe Kosova, respektivisht MASHT-i që nga viti 2005, ku prej atëherë janë organizuar aktivitete në përputhje me qëllimin e kësaj fushate me temën e përcaktuar nga UNESKO.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)