Ministri Buja: Festa e Abetares këtë vit e veçantë
Prishtinë, 17 prill - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë shënoi sot Festën e Abetares,në qytetin historik të Prizrenit.
Ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka uruar nxënësit pjesëmarrës më dëshirën që të arrijnë suksese të dëshiruara në mësime dhe jetë.
Të gjithë mësuesit kujtohen, por mësuesi i parë nuk harrohet kurrë. Jam shumë i bindur që as ju nuk do ti harroni dhe uroj që ti mbani mend për të mirë, ka thënë Ministri.
Sipas ministrit Buja, kjo festë sivjet është shumë e veçantë, sepse përkon më 125 vjetorin e Shkollës Shqipe, 104 vjetorin e unisimit të Gjuhës Shqipe dhe 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Për këto pak vite të shkollës sonë, rezultatet tona janë kolosale dhe të prekshme, tha ministri Buja.
Të pranishmit i përshëndeti edhe znj. Naziktere Sylejmani, këshilltare shtetërore në Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë, ndërsa të pranishëm ishin edhe ministri i Ministrisë së Diasporës, Ibrahim Makolli, kryetari i Komunës së Prizrenit,
Ramadan Muja , nxënës, prindër dhe mësimdhënës.
Për shkollat pjesëmarrëse, ministri Buja dhe këshilltarja në Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë, znj.Naziktere Sylejmani, kanë ndarë mirënjohje.
Nxënësit e shkollave fillore Lidhja e Prizrenit, Prizren, 7 Marsi komuna e Qairit - Shkup, Yll Morina Gjakovë , Ismet Rraci Klinë, Daut Bogujevci Fushë - Kosovë, Migjeni Mitrovicë dhe Emin Duraku të Kaçanikut, shfaqen programe kulturo-artistike.
Ndryshe, kjo festë tashmë është tradicionale dhe në Kosovë kremtohet për të katërtën herë radhazi, ndërkohë që koinçidon edhe me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqpërisë. Nga ky vit, kjo festë do të ketë karakter gjithëkombëtar dhe do të shënohet në të gjitha viset shqiptare.
Vitin e ardhshëm Festa e Abetares do të organizohet në një nga qytetet e Shqipërisë.