Ministri Buja do të angazhohemi për qytetari moderne të shekullit 21
Prishtinë, 23 prill - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të fazës së dytë të projektit Kosovo Youth Education Trust (Trusti i të rinjve për qytetari aktive në Kosovë).
Ky projekt, i cili do të vazhdojë me faza tjera të aktiviteteve, ka për qëllim promovimin e punës vullnetare të nxënësve të shkollave të rregullta të Kosovës për shtresat e margjinalizuara, në këtë rast, për fëmijët me nevoja të veçanta.
Ministri Buja, me këtë rast, ka përshëndetur nxënësit, prindërit, vullnetarët dhe pedagogët e shkollave speciale të veçanta, të cilët me punë vullnetare kanë bërë një organizim të qëlluar në frymën e kultivimit të qytetarisë moderne të shekullit 21, dhe tha se kjo duhet të vazhdohet edhe në të ardhmen.
Ndërkaq, në vazhdim, ministri Buja tha: Kam qenë mbështetës i kësaj pune që keni bërë dhe do jem gjithmonë përkrah juve që po leni gjurmë të mira, një përvojë tepër të mirë, për të krijuar dhe ndërtuar qytetarinë ashtu siç e kërkojmë ne sot në Kosovë dhe në gjithë botën.
Ministri Buja premtoi se nga shtatori i këtij viti, do të kemi një strategji kombëtare për implementimin e punës vullnetare të nxënësve të shkollave të rregullta të mesme me nxënës me nevoja të veçanta arsimore.
Ndërsa, në qershor të këtij viti, me rishikim buxhetor, do të angazhohemi që të sigurojmë edhe mbështetjen financiare për këtë strategji kombëtare.
Besoj se dakordohemi që miqësitë dinë të bëjnë mrekulli saqë krijojnë edhe shtete, siç është krijimi i shtetit tonë më të ri në Evropë, por edhe këto miqësi mes shkollave janë të ngjashme, tha në fund ministri Buja.
Johnn Potter nga Active CitizenchipTrust, ndër tjera tha se gjashtë muaj më parë, shkollat dhe qendrat nga Prishtina nuk kishin punuar asnjëherë së bashku, e tanimë ata janë miq të ngushtë.
Para tre muajve nxënësit e Pejës dhe të Prizrenit nuk dinin asgjë për njëri-tjetrin, tani ata janë miq të mirë. Programi i qytetarisë aktive i bashkon njerëzit që të njohin njëri-tjetrin dhe më e rëndësishmja është që të kuptohen mes vete.
Të qenit në shkollë, tha Potter, është më shumë sesa vetëm për të mësuar, pra është edhe për të zhvilluar të kuptuarit.
Me këtë, ne mund të mësojmë të zhvillohemi si individ, por edhe si komb , tha në fund Potter, i cili njëherësh ka falënderuar të gjithë ata që ndihmuan në zhvillimin e këtij aktiviteti.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe znj .Janne Sweeyn, drejtore e programit Kosovo Youth Education Trust.
Ajo tha se ndjehet e lumtur që ka pasur rastin të punojë me këta të rinjë të Kosovës, të cilët vërtetë kanë nevojë për mbështetjen e shoqërisë kosovare.
Gjatë ditë s së sotme u shfaq një program i pasur kulturor dhe artistik.