Ministri Bajrami vizitoi Universitetin e Evropës Juglindore
Prishtinë, 25 gusht - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, me ftesë të rektorit të Universitetit të Evropës Juglindore, Zamir Dika është pritur në një vizitë zyrtare nga ai dhe menaxhmenti i UEJL-së.
Ministri Bajrami dhe rektori Dika, në takim kanë diskutuar mundësinë e rritjes së bashkëpunimit në mes universiteteve tona publike dhe UEJL-së, sa i përket ofrimit të programeve të përbashkëta dhe ngritjes së performancës.
Biseduam për mundësinë e bashkëpunimit në ofrimin e programeve të përbashkëta ndërkombëtare, në nivelet MA dhe PhD, me universitetet publike në Republikën e Kosovës, bashkëpunimin në fushën e hulumtimeve shkencore, mobilitetin e studentëve, këmbimin e përvojave në nivelin e stafit akademik dhe çështje të tjera të rëndësishme, të cilat ndërlidhen me ngritjen e nivelit të cilësisë së universiteteve tona, theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami, në këtë takim ka theksuar edhe mungesën e kuadrove në universitetet e reja publike dhe nevojën e ngritjes së kapaciteteve akademike dhe hulumtuese.
Ndërsa, rektori i UEJL-së, Zamir Dika, e njoftoi ministrin Bajrami me zhvillimet në Universitet, me theks të veçantë në punën që po bëhet në ofrimin e programeve të integruara për studentë, përfshirë edhe ata te vendeve të rajonit.