Ministri Bajrami vizitoi Ferizajin
Ferizaj, 28 korrik - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka vizituar sot qytetin e Ferizajt, ku ka marrë pjesë në disa aktivitete që kanë të bëjnë me arsimin në këtë komunë.
Fillimisht, ministri Bajrami ka marrë pjesë në mbledhjen konstituive të Këshillit për themelimin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, ku ka vlerësuar se themelimi i këtij universiteti është shumë i rëndësishëm dhe do të ndihmojë edhe zhvillimin ekonomik të Ferizajt. Ky nuk është një universitet më tepër në Kosovë, sepse është një universitet i veçantë, i profilizuar, e që do të jetë i lidhur me tregun e punës.
Pasi që shprehu bindjen se anëtarët e Këshillit do të angazhohen maksimalisht për ta quar përpara këtë universitet, ministri Bajrami i porositi ata që të angazhohen për të siguruar lidhje me ekonominë dhe partneritet me bizneset.
Më pas, ministri Bajrami është takuar edhe me kryetarin e Komunës së Ferizajt, z. Muharrem Sfarqa, nga ku i ka uruar të gjithë qytetarët e kësaj komune për fillimin e punës së Universitetit, ndërsa ka biseduar edhe për gjendjen në arsimin parauniversitar në këtë komunë.
Ministri Bajrami ka shfrytëzuar rastin që tiu bëjë thirrje të gjithë kryetarëve të komunave që gjatë konkurseve për pranimin e mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave të pranojnë njerëz mbi bazën e meritave dhe performancës.
Ministri vizitoi edhe shkollën e mesme në Ferizaj, respektivisht punët finale që janë duke u kryer në këtë objekt të ri që është investim i MAShT, si dhe shkollën fillore në Zaskok për të parë nga afër kushtet, në të cilat mësojnë nxënësit dhe mundësitë për investime në të ardhmen.