27 Dhjetor 2024

Ministri Bajrami në vizitë zyrtare në Mal të Zi

Podgoricë, 31 korrik - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami po qëndron në vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku sot ka pasur takime të rëndësishme me udhëheqës të institucioneve më të larta të arsimit dhe shkencës, me të cilët ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit.

Ministri Bajrami është pritur nga ministri i Arsimit i Malit të Zi, z. Predrag Boskoviç, me të cilin është pajtuar për bashkëpunim në të gjitha nivelet e arsimit.

“Me ministrin Boshkoviç, u pajtuam për bashkëpunimin në fushën e shkëmbimit të përvojave akademike universitare në të mirë të ngritjes së cilësisë, e po ashtu edhe në aspektin e integrimeve regjionale dhe evropiane”.

Ne, theksoi ministri Bajrami, u pajtuam plotësisht që të ndihmojmë arsimin shqip në të gjitha nivelet në Mal të Zi, që të krijojmë një cilësi në shkollat shqipe, duke siguruar mësimdhënës të përgatitur, por edhe kushte të mira për mësim. “Do të mbështesim shkollat shqipe këtu me të gjitha mundësitë që kemi në një platformë të bashkëpunimit ndërshtetëror”.

Po ashtu, ministrat e Arsimit të të dy shteteve kanë biseduar edhe për nevojat që ka arsimi shqip në Mal të Zi dhe mundësisë për të pranuar më shumë studentë në Universitetin e Prishtinës për përgatitjen e mësimdhënësve për mësimin në gjuhën shqipe. Gjithashtu, ata kanë biseduar edhe për lehtësimin e procedurave të njohjes reciproke të diplomave.

Ministri Bajrami e ka falënderuar homologun e tij malazez edhe për gatishmërinë që t’i mundësojë Republikës së Kosovës të ndihmojë arsimin shqip në Mal të Zi me tekste.

“Qeveria e Kosovës nuk dëshiron të zhvillojë bashkëpunimin në arsim me platforma patriotike, por reale. Interesat e komunitetit, interesat e mësimit në gjuhën shqipe këtu janë jetike dhe ne kemi arritur konsensus të plotë që të bashkëpunojmë me një vullnet pozitiv”, tha ministri Bajrami.

Ministri Bajrami është pritur edhe nga ministrja e Shkencës e Malit të Zi, znj. Sanja Vllahoviç, me të cilën ka biseduar për mundësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror për

për projkete të përbashkëta shkencore, por edhe për projektet evropiane si Erasmus+, Horizon 2020, ku dy shtetet mund të konkurrojnë për fonde dhe studime të përbashkëta në fusha të ndryshme.

Të dy ministrat kanë biseduar edhe për shkëmbime akademike, të profesorëve të të dyja vendeve dhe janë pajtuar që së shpejti ky bashkëpunim të konkretizohet me një Marrëveshje Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Ka një vullnet jashtëzakonisht të mirë midis dy shteteve që të ecim përpara në rrugën tonë evropiane edhe me raporte jashtëzakonisht të mira e miqësore, ku arsimi dhe shkenca janë fusha ku mund të shënojmë rezultate të mira”, tha ministri.

Ministri Bajrami gjatë ditës është takuar edhe me Komisionin Parlamentar për Arsim të Malit të Zi, të kryesuar nga znj. Branka Tanasijeviç.

Gjatë ditës së nesërme, ministri Bajrami do të takohet edhe me udhëheqës të Komunës së Ulqinit, Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi dhe përfaqësues të partive politike shqiptare për të biseduar për nevojat e arsimit shqip. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)