Ministri, Arsim Bajrami paraqitet sot në interpelancë para deputetëve
Prishtinë, 19 janar - Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot do të mbajë seancën e parë plenare për sesionin pranveror, në të cilën do të zhvillohet një interpelancë, një debat parlamentar dhe do të shqyrtohen disa projektligje.
Në seancën e sotme, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, do të përgjigjet para deputetëve lidhur me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë, në interpelancën e thirrur nga deputeti Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues.
Në vijim, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për automjete, si dhe atë për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive. Për herë të dytë, ndërkaq, shqyrtohet Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.
Pas projektligjeve, Kuvendi do të zhvillojë debat parlamentar lidhur me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga nëntë deputetë të tjerë.
Në fund, do të formohet Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.