MIN inauguron Qendrën e Inovacionit në Universitetin e Prishtinës
Prishtinë, 29 nëntor - Organizuar nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN) dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike është bërë inaugurimi i Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Universitetin e Prishtinës. Në ceremoninë e mbajtur më këtë rast kanë marrë pjesë: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, Kryeministri Ramush Haradinaj, ministri Besim Beqaj, dekani i FIM-së Ahmet Shala, profesorë dhe studentë të shumtë.
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni ka folur për rëndësinë e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP, duke theksuar se kjo gjë është bërë në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
“Unë besoj fuqishëm, kështu beson edhe kryeministri dhe kryetari i Kuvendit se e vetmja fuqi konkurruese në kohën e dixhitalizimit është rinia, pasi që është promotori dhe gjeneratori i zhvillimit ekonomik”, tha ministri Beqaj.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka folur për rëndësinë e lidhje se zhvillimit ekonomik dhe arsimit. “Hapja e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Universitetin e Prishtinës është një hap tejet i rëndësishëm në kuadër të përmbushjes së programit tonë qeverisës. Kjo qendër do të jetë një hapësirë qe studentët të punojnë në idetë e tyre për projekte të ndryshme, që do të kontribuojnë në hapjen e bizneseve të reja dhe zhvillimin e atyre ekzistuese, që mundësojnë vende te reja pune”, theksoi z.Veseli.
Ndërsa Kryministri i Kosovës Ramush Hardinaj tha me këtë rast se të gjithë në Kosovë e kuptojnë rëndësinë e arsimit dual dhe këtu po jepet shembulli i kujdesit nacional për arsimin dhe kjo të shërbejë si një nisje për këtë.
“Do ta kemi vështirë të mbetemi garues në tregun ekonomik në vend, qoftë edhe me taksa që i kemi vendosë, nëse nuk i zhvillojmë aftësitë tjera, që të mund të tërheqim investime”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se pikërisht për këtë, arsimi dual është i rëndësishëm.
Para të pranishmëve kanë folur edhe dekani i FIM-së Ahmet Shala dhe Myrvete Badivuku-Pantina, prorektore e UP-së.
Pjesmarrësit në ceremoni kanë vizituar edhe hapësirat e destinuara për Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP dhe laboratorët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.