Mileniumi i Tretë ofron bursa për nxënes inteligjentë
Prishtinë, 12 maj - Katër fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme, të identifikuar dhe të përkrahur nga Projekti Atomi, do të mund të fillojnë shkollimin e tyre në Shkollën Mileniumi i Tretë.
Drejtoresha e Shkollës Mileniumi i Tretë, Znj Afrore Lila, njoftoi sot se Shkolla Mileniumi i Tretë ofron 4 bursa të plota shkollimi për katër fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme, ndryshe të njohur edhe si atomistë.
Përfituesit e bursave janë përzgjedhur nga vetë përfaqësuesit e Projektit Atomi, ku prioritet i është dhënë fëmijëve të cilët kanë të ardhura të kufizuara.
Sot më shumë se kurrë, është e rëndësishme që fëmijët tanë të marrin arsimimin për të cilin ata kanë nevojë, e vendi ynë sot më shumë se kurrë ka nevojë për ta. Ky investim nuk është investim vetëm i së ardhmes së tyre, ky investim është investim edhe për të ardhmen e vendit tone, tha drejtoresha e shkollës Afrore Lila.
Projekti Atomi është njëri ndër projektet më me rëndësi dhe interes kombëtar të vendit, të cilin kjo shkollë e ka përkrahur tash e disa vjet gjatë realizimit të shkollës verore të fëmijëve me mbi- inteligjencë, prandaj Shkolla Mileniumi i Tretë edhe kësaj here me kënaqësi do të hapë dyert dhe të ofrojë mundësi të pakufizuara të shkollimit për këta bursistë. Mësimdhënia NDRYSHE që ofron vazhdueshëm kjo shkollë përmes aktiviteteve të mësimit të rregullt dhe atyre jashtëmësimore do tu mundësojë këtyre fëmijëve zhvillim maksimal të potencialit të tyre me dije, shprehi e shkathtësi të shek. XXI.\"
\"Përkrahja e fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme është e një rëndësie të veçantë për të gjithë vendin, dhe ne jemi të gatshëm ti mbështesim ata duke iu ofruar shkollim adekuat të nevojshëm dhe ndër më cilësorët në vend, duke hapëruar drejt përmbushjes së vizionit të shkollës sonë - vazhdoi më tutje ajo.
Bursat e shkollimit të ofruara nga Shkolla Mileniumi i Tretë mbulojnë kostot e shkollimit përgjatë gjitha viteve akademike të shkollimit të përfituesit, që përfshin edhe tekstet e materialet mësimore (2,100 2,300 EUR) dhe sigurimin e ushqimit rreth 600 EUR , e që në total rreth 2,700-2,900 EUR arrin vlera monetare për vetëm një bursë.
Projekti ATOMI, ka nisur punën qysh në 2011 dhe merret me identifikimin dhe përkrahjen e fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme. Është në ciklin e katërt dhe deri më tani ka të identifikuar 115 atomistë, pa i përfshirë edhe top 50-shen e ciklit të fundit, e cila do të publikohet në fillim të qershorit.
Përgjegjësja për komunikim, e Projektit ATOMI, Znj. Edona Zogu tha se Projekti e mirëpret këtë iniciativë nga Shkolla Mileniumi i Tretë.
Projekti ATOMI, e mirëpret iniciativën e Mileniumit të Tretë. Ne nuk dyshojmë në suksesin e atomistëve asnjëherë. Ajo çfarë Mileniumi i Tretë ka bërë me këtë veprim, është pikërisht ajo në cfarë besojmë edhe ne dhe në fakt tashmë edhe po dëshmohet: potenciali i jashtëzakonshëm intelektual i këtyre fëmijëve.\"
\"Qëllimi i investimit në fëmijët inteligjentë, është fillimisht krijimi i kushteve që ata të realizojnë vetën e tyre. Ky nuk është vetëm përfitim i tyre por edhe i gjithë shoqërisë sonë, prandaj edhe u jemi mirënjohës Mileniumit të Tretë për ofrimin e këtyre kushteve për këta katër atomistë. Këtë shembull, do të duhej ta ndiqnin edhe shumë shkolla e institucione të tjera në vend, tha Znj. Zogu.
Pas identifikimit, Projekti ATOMI ofron edhe këshillim në karrierë për fëmijët me inteligjencë të jashtëzakonshme, këshillim profesional, kampin veror, shkollën e vikendit, si dhe shumë shërbime të tjera. Marrë parasysh që atomistët janë duke u antarësuar pa testim, vetëm me referencat e Projektit ATOMI në MENSA Ndërkombëtare, po shikohet edhe mundësia e themelimit të MENSAs në Kosovë, e cila do të përkrahet fuqishëm nga Projekti ATOMI.