Mësimi nxënësve për testin e maturës për klasat e 12-ta mbahet online
Prishtinë, 13 qershor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj ka marrë vendim që mësimi plotësues i ambientimit dhe përgatitjes së nxënësve për Testin e Maturës për klasët e 12-ta të mbahet në formën online - mësim në distancë.
Këtë vendim, ministri Likaj e ka marrë pas konsultimeve gjatë ditës së sotme me Ministrinë e Shëndetësisë, ekspertët e IKShP-së, kryetarët e komunave dhe Kolegjiumin e Drejtorëve Komunal të Arsimit
Mësimi plotësues për klasat e 12-ta, sipas këtij vendimi, do të fillojë të Hënën, me datë 15.06.2020, në formën online - mësim në distancë.
Me Kalendarin e përshtatur të përfundimit të vitit shkollor 2019/2020 në rrethana të pandemisë COVID-19 ishte paraparë që të mbahet mësim përgatitor në shkolla, por vendimi për formën online të mësimit është marrë me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.
Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA-të) janë obliguar që ta zbatojnë këtë vendim deri në një vendim tjetër.