Mësimdhënësit udhëtarë po përballen me vështirësi gjatë transportit
Mësimdhënësit udhëtarë kanë paraqitur një ankesë te monitoruesit e EC Ma Ndryshe, se prej muajit tetor po përballen me vështirësi, pasi që sipas tyre pagesa e transportit për ta nuk po realizohet që prej muajit tetor 2014.
Ata kanë sqaruar se operatori i kontraktuar nga Komuna i ka shpërndarë biletat, por se ato nuk po pranohen nga operatorët tjerë transportues, për shkak të mosmarrëveshjeve, meqë operatori që e ka fituar tenderin nuk i ka pranuar mjetet e nevojshme nga Komuna.
Bazuar në këtë ankesë, monitoruesit e EC Ma Ndryshe përmes rrugëve ligjore kanë kërkuar sqarime nga zyrtarët përgjegjës komunal. Në përgjigjen e dhënë nga Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prizrenit është konfirmuar se Komuna nuk e ka paguar operatorin e kontraktuar që prej mesit të tetorit të vitit 2014, për shkak të mungesës së mjeteve.
Në përgjigjen e DKA-së thuhet se Komuna përmes Zyrës së Prokurimit ka lidhur një kontratë me një operator ekonomik për transportin e mësimdhënësve udhëtarë të komunës së Prizrenit.
Kontrata ka qenë e lidhur në kohëzgjatje deri në dhjetor të 2014-s. Rishikim të buxhetit për vitin 2014 nuk ka pasur, prandaj mjetet e planifikuara për këtë tender kanë arritur të paguhen deri në gjysmën e muajit tetor 2014. Pjesën e mbetur e kemi paraqitur si borxh të vitit 2014, i cili do të paguhet nga të hyrat e bartura të vitit 2014 në vitin 2015, dhe në momentin e miratimit nga ana e Kuvendit Komunal të Prizrenit dhe bartjes së mjeteve nga zyra e buxheteve komunale në kodin e projektit për transportin e mësimdhënësve udhëtar ne do ti bëjmë procedurat e pagesës për operatorin dhe konform kontratës dhe obligimeve të mbetura do ta paguajmë operatorin ekonomik. Pastaj, operatori i dinë obligimet e veta në bazë të regjistrit të mësimdhënësve udhëtarë dhe obligimet e papaguara që ka ndaj tyre, thuhet në përgjigjen e DKA-së.
Sipas të dhënave në kontratën për transportin e mësimdhënësve në komunën e Prizrenit janë 714 mësimdhënës udhëtarë.
Duke i marrë parasysh këto të gjetura, EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që:
- Të rrisë transparencën dhe komunikimin në raport me mësimdhënësit udhëtarë, për çfarëdo shqetësimi apo problemi që paraqitet;
- Të merr masa të menjëhershme për përmirësimin e planifikimit buxhetor, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten më;
- Të komunikoj afër me të gjitha palët e përfshira në këtë çështje, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet e duhura dhe mësimdhënësit të gëzojnë transportin falas, ashtu siç është premtuar nga autoritetet komunale;