Menaxhmenti dhe Parlamenti i Studentëve vizituan konviktet e studentëve
Prishtinë, 26 nëntor - Rektori i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, prof. dr. Ibrahim Gashi, kryetari i Këshillit Drejtues, Muharrem Nitaj dhe prorektori për cilësi, prof. dr. Agron Bajraktari, të shoqëruar edhe nga Parlamenti i Studentëve i vizituan konviktet dhe mensën e studentëve, për tu njohur me kushtet të cilat ofrohen për studentët në fillim të këtij vitit të ri akademik.
Menaxhmenti dhe Parlamenti i Studentëve i UP-së fillimisht u takuan me drejtorin e Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, i cili i njoftoi me kushtet të cilat ofrohen në Qendrën e Studentëve.
Ata biseduan për procesin e regjistrimit në konvikte, për ngrohjen dhe për infrastrukturën në Qendrën e Studentëve.
Sa i përket ngrohjes, drejtori Sfishta premtoi, se pavarësisht furnizmit ose jo me ngrohje nga ana e Termokosit, Qendra e Studentëve i ka kapacitetet e veta për të ofruar ngrohje për studentët të cilët janë të strehuar në konvikte.
Menaxhmenti i UP-së, Parlamenti i Studentëve dhe drejtuesit e Qendrës së Studentëve i vizituan konviktet dhe kuzhinën në mensën e studentëve, për të biseduar për së afërmi me studentët, të cilët u shprehën të kënaqur me kushtet të cilat ofrohen.
Menaxhmenti i UP-së e vazhdoi vizitën në sallën 1 Tetori, për të përcjellë nismën e turneut në futsall, i cili po zhvillohet për nder të festës së 28 Nëntorit.