Memorandum për lokacionin e Akademisë për Lidership në Mitrovicë
Prishtinë, 13 prill - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, dhe kryetari i Organizatës Joqeveritare Global Neighbors, Inc, Donald F.Davis, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës së Mitrovicës për për themelimin e Akademisë Kosovare për Lidership (AKL).
Ministri Buja, me këtë rast tha se kjo është një ditë e gëzuar për të gjithë qytetarët e Kosovës, e në veçanti për ata të Mitrovicës, në qytetin e të cilëve do të ndërtohet ky institucion i rëndësishëm për Kosovën .
Jemi të gëzuar dhe të ndërgjegjshëm edhe për faktin se ky institucion do të ofrojë njohuri të jashtëzakonshme me perspektivë e rëndësi të veçantë për Kosovën .
Sipas këtij Memorandumi, komuna e Mitrovicës do ti japë në shfrytëzim tokën (pronë komunale), Global Neighbors, Inc për themelimin e Akademisë Kosovare për Lidership.
Global Neighbors,Inc, e cila do ta themelojë AKLnë, është organizatë joqeveritare, jofitimprurëse me bazë në SHBA, e përcaktuar për qëllimet e dhënies së ndihmës humanitare dhe arsimore ndërkombëtare, e në mënyrë specifike me investim në Republikën e Kosovës që nga viti 2001.
Ndryshe , AKL-ja, do të jetë shkollë private jofitimprurëse, ndërsa plan-programet, të cilat do ti ofrojë, janë ato të Republikës së Kosovës, me mundësi të avancimit të tyre në harmoni me rrjetin e ngjashëm arsimor në SHBA.
Realizimi i projektit do të bëhet në faza brenda një afati 3 deri 5 vjeçar nga dita e nënshkrimit të Memorandumit, ndërsa MAShT-i, ka përgjegjësinë ta licencojë këtë institucion kur ti ketë përmbushur kriteret.