24 Dhjetor 2024

Më 29 maj mbahen zgjedhjet studentore në UP

Prishtinë 18 maj - Më 29 maj, studentët e Universiteti të Prishtinës do të votojnë për të zgjedhur anëtarët e Parlamentit të Studentëve. Janë 15 organizata studentore që do të garojnë për të përfaqësuar studentët në Senat dhe në këshillat e fakulteteve. Komisioni zgjedhor ka bërë të gjitha përgatitjet, ndërkohë studentët kanë filluar fushatën.

Risi nga zgjedhjet e kaluara të studentëve, këtë vit është vendosur që studentët me notë mesatare nën tetë dhe ata që janë përsëritës, të mos kenë të drejtë të konkurrojnë.

Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën, Esat Kelmendi, sekretari i përgjithshëm i Universiteti të Prishtinë si dhe kryesues i Komisionit Zgjedhor.

Ai bëri të ditur se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet dhe se fushata e studentëve ka filluar. Kelmendi bëri të ditur se në krahasim me numrin e studentëve, numri i organizatave studentore është shumë i madh, por një gjë të tillë e lejon ligji.
 
“Këtë herë kemi kërkuar që t’i përmbahen strikt notës mesatare përfaqësuesit e studentëve në Parlament dhe Senat. Askush nuk guxon të marrë mandat nën notën tetë dhe nuk guxon të jetë përsëritës. Normalisht që numri i organizatave është i madh, duke krahasuar me vitet e paraluftës, por Ligji dhe Rregullorja në fuqi e lejon”, tha Kelmendi.
 
Ndërkohë, çdo organizatë studentore kërkon votën e studentëve, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet në Senat, duke ofruar programin e tyre me aktivitete të ndryshme. Irfan Veseli nga organizata Unioni i Studentëve Proevropian, tha se takohen çdo ditë me studentët për të paraqitur programin e tyre për dy vitet e ardhshme.
 
“Kemi realizuar aktivitete me tema të ndryshme, kemi pasur bashkëpunime të ndryshme me OJQ-të, si dhe me organizata të tjera jashtë vendi, duke organizuar edhe vizita studimore. Jemi përpjekur gjithmonë që të krijojmë një klimë sa më të përshtatshme për studentët e UP-së”, tha Veseli., për Radio Kosovën.
 
Nga 15 organizata sa janë në garë, pesë prej tyre janë të reja, që më parë nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje. Zgjedhjet do të mbahen në 28 vendvotime, përfshirë edhe qendrat jashtë Prishtinës si në: Gjilan, Gjakovë e Mitrovicë.

Këto janë zgjedhje të rregullta që mbahen çdo dy vjet. Ndërkohë, për të qenë pjesë e Parlamentit të Studentëve, nevojiten së paku 5 për qind e votave, kurse për këshilla studentorë tre për qind e votave. Mandati i ri i Parlamentit të Studentëve fillon më 1 tetor të këtij viti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)