Mbi 2200 mësimdhënës të rajonit të Mitrovicës marrin licencat
Prishtinë, 30 maj - Pas Gjilanit dhe Ferizajt, zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, njëherit edhe kryetar i Këshillit Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve, i shoqëruar nga znj. Drita Kadriu, këshilltare e ministrit të MAShT dhe Ali Shabanaj kryetar i SBAShK-ut ka qëndruar sot në Mitrovicë, ku ka ndarë simbolikisht licencat për mësimdhënësit e këtij rajoni.
Me këtë rast, zv/ministri Mustafa theksoi se ky proces që nga viti 2008 për Ministrinë e Arsimit ka qenë njëri prej proceseve kryesore, sepse kështu po forcohet pozita e mësimdhënësit në procesin arsimor.
Kjo po bëhet me qëllimin e vetëm që të kemi mësimdhënës të përgatitur e të licencuar për mësimdhënie me metodat bashkëkohore, me synimin e përhershëm: rritjen e cilësisë në arsim, tha ai.
Para drejtorëve të drejtorive komunale të arsimit të rajonit të Mitrovicës, dhe shumë drejtorëve të shkollave të këtij rajoni, zv/ministri Mustafa foli për katër komponentat e licencimit të mësimdhënësve, sidomos për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.
\"Licencimi është mundësi për ngritje në karrierë, ku çdo mësimdhënësi do t\'i jepet mundësia që të kalojë nga një shkallë në shkallën tjetër të licencës\", theksoi ai.
Të pranishmit i përshëndeti edhe znj Drita Kadriu , këshilltare e ministrit të MAShT si Ali Shabanaj, kryetari i SBAShK-ut i cili njëherësh është edhe anëtarë i Këshillit për Licencim.
Gjatë ditëve në vijim, licencat do të ndahen edhe për mësimdhënësit e rajoneve të mbetura.