Mbahet tryeza debatuese me temë Klasa e I-V, një apo më shumë mësues
Gjilan, 31 maj - Në organizim të Universitetit Kadri Zeka në Gjilan dhe GIZ-CDBE ( Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Bazë) është mbajtur tryeza debatuese me temë Klasa e I-V, një apo më shumë mësues.
Në këtë organizim kanë marrë pjesë, Ismail Kurteshi , anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim në Kuvendin e Kosovës, profesorë nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit Kadri Zeka, profesor të kësaj fushe nga Universiteti i Mitrovicës, drejtues të drejtorive komunale të arsimit nga disa komuna të Kosovës, përfshi edhe ata të komunitetit serb, përfaqësues të GIZ-it gjerman, si dhe mësimdhënës të këtij niveli nga komuna të ndryshme të Anamoravës dhe më gjerë.
Fillimisht, Shpresë Qamili prorektore për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve në Universitetin kadri Zeka, në cilësinë e moderatorës, iu ka dëshiruar mirëseardhje të gjithë të pranishmëve.
Kurse hapjen e tryezës e bëri rektori Bajram Kosumi, i cili fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në tryezën debatuese me temë Klasa e I-V, një apo më shumë mësues, duke thënë se kjo nismë është mjaftë e qëlluar. Rektori Kosumi tha se përkrah idenë që kjo problematikë të trajtohet në mënyrë të thelluar që të shënohet ngritje e cilësisë të këtij niveli të arsimit. Ai theksoi se një mësues, sado i përgatitur, nuk do të mund të jetë i efektshëm në të gjitha lëndët për të gjitha nivelet e mësimit klasor, andaj duhet të bëhen ndryshime.
Ndërsa Dagmar Fuchs-Schmitz, Udhëheqëse e Grupit, GIZ/CDBE tha se qëllimi i idesë së një apo më shumë mësues për ciklin fillor, është shumë e mirë, sepse nga kjo që lehtë mund të zbatohet në praktikë, mund të dalin gjenerata më të përgatitur. Dagmar tha se duke e parë se e ardhmja gjithnjë e më shumë po ndryshon, ne duhet ti edukojmë fëmijët tanë për sfidat e ardhmërisë dhe se duhet ta kuptojmë se arsimi nuk është një gjë fikse por është një garë permanente.
Ndërkaq, Januz Dervodeli, Dekan i Fakultetit të Edukimit ka prezantuar temën Roli i mësuesit në ndryshimin e shkollës, ku njëherësh ka paraqitur edhe të gjeturat nga një studim i përgatitur nga stafi akademik i Fakultetit të Edukimit në Universitetin Kadri Zeka . Kurse, Xhevdet Thaçi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UKZ, është paraqitur me temën Në kërkim të shkëlqyer deri te mësimdhënia e shkëlqyer.
Praktikat e mira nga shkolla Fillore Hil Mosi nga Jabllanica e Pejës, i ka prezantuar drejtori i kësaj shkolle, Riza Mujaj, i cila ka treguar përvojat e punës së mësimdhënësve të shkollës që ai drejton, ku ka thënë se shkolla e tyre që nga viti 2001 ka filluar aplikimin e mësim dhënies me më shumë se një mësues për klasat e para deri në të pestën.
Prezantimin e praktikave të mira me mësimdhënës lëndor të shkollës fillore me focus në Gjermani i ka paraqitur , Sophie Meinke, këshilltare e projektit GIZ/CDBE.
Më pas grupet punues, mësuesit lëndor mes mësimdhënëseve të tanishëm dhe përgatitja e mësuesve lëndor para-shërbimit kanë diskutuar rreth asaj se cilat mund të jenë përparësitë dhe sfidat e të pasurit më shumë mësues në shkollimin fillor të ulët, si mund të realizohet kjo ide, me çfarë sfidash do të ballafaqohen universitetet në ristrukturimin e sistemit të para-shërbimit, Çfarë hapa dhe cilat planifikime duhet të bëhen në zhvillimin e syllabuseve për trajnimin e mësuesve para-shërbimit, etj.
Pas prezantimit të rezultateve të grupeve punuese dhe pas diskutimeve nga pjesëmarrësit në tryezë janë nxjerr edhe disa rekomandime:
Përpilimi i plan programit në fusha të specializuara për mësimdhënës të shkollave fillore (Të përpilohet nga Fakulteti i Edukimit)
Trajnime/seminare me mësimdhënësit aktual (pilotim nga Fakulteti i Edukimit si dhe të organizohet testi më mësimdhënës të arsimit fillor)
Menagjmenti i Universitetit Kadri Zeka të filloj bisedimet me MASHT për aprovimin e kësaj ide.
Të intensifikohet puna në shtimin e orëve të matematikës dhe gjuhës dhe zvogëlimi i orëve nga lëndët tjera.
Ndarja e mësimdhënëseve sipas shkathtësive (të kryhet sipas vullnetit të mësimdhënëseve).
Të ketë më shumë se një mësimdhënës në mënyrë që të lehtësohet puna e mësimdhënëseve dhe kështu të bëhet vlerësimi sa më real i nxënëseve
Të identifikohen shkathtësitë e mësimdhënëseve përmes një testi ku do të kihet parasysh nota mesatare nga studimet si dhe rezultatet e pritshmërisë së nxënëseve.
Të kërkohet mbështetje nga Institucionet qendrore dhe lokale si dhe nga Drejtorët dhe mësimdhënësit e shkollave fillore, që të ndihmojnë në implementimin e këtyre rekomandimeve.
Ky organizim i Universitetit Kadri Zeka në Gjilan dhe GIZ-CDBE ( Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Bazë) me temë Klasa e I-V, një apo më shumë mësues ka për qëllim të stimuloj një diskurs akademik dhe një debat të politikave.