Mbahet takimi me koordinatorët e projekteve TEMPUS
Prishtinë, 11 dhjetor - Koordinatorët e UP-së për projektet Tempus mbajtën sot një takim me rektorin e Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, prof. dr. Ibrahim Gashi, për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe transparent ndërmjet udhëheqjes së UP-së dhe njësive akademike që përfitojnë nga këto projekte.
Rektori Gashi theksoi përkushtimin e menaxhmentit për të siguruar kohëzgjatjen e projekteve, duke u dhënë mbështetje institucionale rezultateve të tyre, në mënyrë që pas përfundimit të projekteve ato rezultate të ngelin në pronësi të UP-së.
Gjithashtu, rektori Gashi shprehu gatishmërinë e menaxhmentit për ti ndihmuar projektet në menaxhimin financiar dhe në përkrahjen e plotë për zbatimin e aktiviteteve.
Koordinatorët e TEMPUS-it të UP-së e falënderuan rektorin Gashi për mbështetjen e fuqishme që menaxhmenti i ka dhënë aplikimit të Fakulteteve në projektet e TEMPUS-it.
Në takim mori pjesë edhe koordinatorja kombëtare e programit Tempus, znj. Kimete Canaj dhe kryetarja e Bordit të Agjencisë së Akreditimit, prof. Ferdije Zhushi, të cilat e përkrahën këtë iniciativë dhe praktikë të re të menaxhmentit të UP-së.