Mbahet spektakli i nxënësve që mësojnë gjuhën frenge në Kosovë
Prishtinë, 24 mars - Në kuadër të edicionit të 18-të të Frankofonisë në Kosovë, dhe garës më thoni dhjetë fjalë të Ministrisë franceze të Kulturës dhe Komunikimit, spektakli i nxënësve që mësojnë gjuhën frenge në Kosovë do të mbahet sot në Sallën e kuqe në Prishtinë.
Me këtë rast, dymbëdhjetë shkolla fillore dhe të mesme nga Gjilani, Drenasi, Vushtrria, Klina, Mitrovica dhe Prishtina marrin pjesë me 200 nxënës të moshave nga 3 deri në 17 vjeç.
Ata do të prezentohen me këngë, poezi dhe shfaqje teatrale. Në hollin e Sallës së kuqe do të vendoset një ekspozitë me vizatime dhe piktura të punuara nga nxënësit në temën e dhjetë fjalëve të Frankofonisë. Juria për vlerësimin e pjesëmarrësve do të përbëhet nga tre persona nga zyra diplomatike e Belgjikës, Ambasada e Francës dhe Aleanca Franceze.
Ky spektakël është një mundësi për nxënësit që mësojnë gjuhën frenge, për t’u takuar, shkëmbyer dhe treguar talentet e tyre përkatëse.
Performancat më të mira artistike do të shpërblehen me dhurata të ofruara nga Ambasada e Francës, Zyra diplomatike e Belgjikës, Ambasada e Zvicrës dhe Shoqata franceze Biblionef. Dreka do të ofrohet nga Shoqata e profesorëve të gjuhës frënge të Kosovës (APFK).