23 Dhjetor 2024

Mbahet sesioni informues për 50 bursa të programit MASTER në SHBA

Prishtinë, 22 janar - Në amfiteatrin e Fakultetit të Filologjisë së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, UP-ja, në koordinim me USAID-in, organizoi ditë informuese për të gjithë studentët e interesuar për të aplikuar për bursa të nivelit MASTER, të cilin po e implementon USAID-i, në kuadër të projektit “Transformational Leadership – Scholarships and Partnerships Program”, financuar nga Qeveria amerikane dhe nga Qeveria e Kosovës.

Në këtë aktivitet të pranishëm ishin edhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Ibrahim Gashi, drejtoresha e misionit të USAID- it në Kosovë, Maureen A. Shauket, dhe studentë të Universitetit të Prishtinës.

Hapjen e këtij sesioni informues e bëri rektori Gashi, i cili tha se programi për lidership transformues i sponsoruar nga Qeveria e Kosovës dhe e SHBA-së përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh, të cilat do të përkrahen me qëllim që të prodhohen kuadro të liderëve të rinj, të cilët do të jenë në krye të ndryshimeve të rëndësishme ekonomike, politike dhe shoqërore.

“Duke pasur rolin kryesor dhe përgjegjësinë në edukimin e brezave të rinj, Universiteti i Prishtinës do të mbështesë çfarëdo nisme që ka për qëllim mundësitë e shkollimit dhe të avancimit të të rinjve kosovarë, të cilët në një të ardhme të afërt do të jenë promotorë të zhvillimeve politike, ekonomike dhe shoqërore në Kosovë’’, tha rektori Gashi.

Rektori Gashi inkurajoi të rinjtë për të aplikuar në këtë program, duke i quajtur ata gjeneratë që mund ta ketë privilegjin për t’u bërë pjesë e sistemit të arsimit të lartë amerikan, duke e trasuar kështu rrugën e sigurt të ndërtimit të karrierës së tyre profesionale.

Ndërkaq, drejtoresha Maureen A. Shauket tha se në kuadër të këtij programi për këtë vit është dhënia e 50 bursave për studime të nivelit master në SHBA, ndërsa deri në fund të vitit 2019 për Kosovën do të ofrohen rreth 160 bursa të tilla nga fushat e sundimit të ligjit, shkencave inxhinierike, administratës publike, bujqësisë, menaxhimit të ndërmarrjeve, financave, ekonomisë, sistemeve informatike, edukimit, studimeve gjinore dhe studimeve ndërdisiplinore.

Më tej, drejtoresha Maureen A. Shauket iu përgjigj edhe pyetjeve të studentëve rreth procesit të aplikimit dhe rëndësisë së këtij programi, i cili ofrohet për të rinjtë kosovarë.

Në përmbyllje të këtij aktiviteti, rektori Gashi e falënderoi Qeverinë e SHBA-së që përmes USAID-it vazhdon të japë kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë, e në veçanti për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)