Mbahet seminari rajonal me mësues shqiptarë të diasporës
Temat që u trajtuan në seminar ishin mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Kroaci, Slloveni dhe Itali - organizimi dhe perspektivat e zhvillimit; konsolidimi i shoqatave të mësuesve; kurrikula, zbatimi i saj dhe mjetet mësimore; planifikimi i procesit mësimor në klasat heterogjene mbi bazën e diversitetit të moshave dhe motivacionit; orë mësimi model; praktika e mërgatave të tjera për organizimin e mësimit plotësues, si dhe pati diskutime të mësuesve për problemet konkrete të tyre.
Në seminarin e mësuesve u paraqitën kumtesa lidhur me rëndësinë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, si dhe tema nga fusha e mësimdhënies.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Osman Shahini, sekretar i përgjithshëm në MeD, foli për synimet dhe projektet që Ministria ka për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.
Ai tha se Ministria e Diasporës pret një bashkëpunim intensiv dhe evidentimin e të gjitha problemeve dhe synimeve për ngritjen e mësimit të gjuhës shqipe në një nivel më të lartë dhe masivizimin e tij.
Në fund u zhvillua një diskutim i hapur. Mësuesit theksuan se mësimi plotësues në Itali dhe Slloveni nuk është i organizuar mirë, prandaj sa më shpejt duhet të formohen këshillat e mësuesve në këto vende, kurse mësimi plotësues në Kroaci e ka kualifikimin e mësuesve të gjuhës shqipe.
Ata kërkuan një bashkëpunim më intensiv me institucionet e atdheut, vizitat më të shpeshta nga zyrtarët e institucioneve, veçmas organizimin e takimeve dhe seminareve të tilla.