Mbahet punëtoria për procesin Torino 2016
Prishtinë, 23 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në punëtorinë inauguruese për fillimin e procesit të Torinos (PRT) 2016, proces ky i cili ka për qëllim rishikimin e politikave të arsimit prfesional në Kosovë.
Ministri Bajrami, me këtë rast ka thënë se, procesi i Torinos ka për qëllim monitorimin dhe zbatimin e arritjes së standardeve të nevojshme për Arsimin Profesional dhe Arsimin për të Rritur.
Ministri Bajrami tha se, Qeveria e Kosovës është e angazhuar në hartimin e një raporti real të vlerësimit, përmes standardizimit të politikave të arsimit profesional dhë përgatitjes së nëxënësve dhe studentëve me kompetenca dhe shkathtësi, në mënyrë që ata të integrohen në mënyrë të barabartë në tregun ndërkombëtar të punës.
Ky është një proces shumë i rëndësishëm nga i cili do të përfitojmë tri gjëra: ndërtimin e politikave shtetërore në raport me arsimin profesional dhe arsimin për të rritur, bërjen e këtyre politikave më kompetente dhe më konkurrente në rajon dhe më gjerë, ndërtimin e standardeve të qëndrueshme të AAP-së, duke filluar nga kurrikula, Korniza Kombëtare e Kualifikimeve, e deri te monitorimi i cilësisë dhe punësimine të rinjve në Kosovë, theksoi ministri Bajrami.
Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Stergios Tragoudas, kërkoi nga të gjithë akterët relevantë që të kenë një qasje të përbashkët sa i përket sistemit të edukimit profesional në Kosovë.
Procesi i Torinos është një proces i rëndësishëm në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, në të cilin Kosova është pjesëmarrëse qe tri vite. Ky proces bën monitorimin, vlerësimin dhe zbatimit e politikave të AAP-së.
Ky është një proces i bazuar në indikatorë, ku secila palë e përfaqësuar ka rolin e vet dhe njëkohësisht kërkon hartimin e raportit të vlerësimit, i cili do të punohet nga të gjitha palët në proces dhe ekspertët e ETF dhe më pas do të krahasohet me raportet e vendeve të regjionit.