Mbahet provimi pranuese në Universitetin e Prishtinës
Më këtë rast Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, do të vizitojë Fakultetin e Edukimit me rastin e mbajtjes së provimit pranues për studentët e rinj.
Sipas kalendarit të provimeve pranuese për vitin akademik 2015/2016 të publikuar në ueb faqen e Universitetit, provimet pranuese në shumicën e fakulteteve do të mbahen më 20 korrik në orën 09:00 në këto fakultete: Fakultetin Filozofik, Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakultetin e Filologjisë, Juridik, Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakultetin e Arteve të Bukura, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinës, Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Fakultetin e Edukimit dhe FSHA Ferizaj.
Kurse në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike do të mbahen nesër në orën 11:00. Ndërkohë, provimet pranuese në Fakultetin Ekonomik dhe atë të Mjekësisë do të mbahet të martën, në orën 09:00.
Shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet më së voni, deri më 23 korrik në fakultetet përkatëse, si dhe në ueb faqen e fakultetit përkatës.
Regjistrimi i kandidatëve të pranuar do të bëhet sipas fakulteteve prej 29 deri më 31 korrik. Të pakënaqurit mund të ankohen më 24 dhe 25 korrik.
Universiteti i Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2015/2016, do të regjistrojë 7880 studentë, prej të cilëve 7330 studentë të rregullt dhe 550 studentë me korrespondencë.
Si shtesë e numrit si më sipër, Universiteti do të regjistrojë edhe 370 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe 328 studentë nga komunitetet joshumicë: boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe kroatë.