Mbahet provimi i gjuhës italiane
Prishtinë, 19 qershor - Për herë të parë në Kosovë, Qendra e gjuhës dhe kulturës italiane Dante, organizon sot provimin Certificato di Conoscenza della Lingua Italiana (CELI).
Qendra Dante përmes Global Input është seli zyrtare e provimeve CELI të Universitetit për të Huaj të Perugia-s.
Kjo certifikatë është titull që deklaron kompetencat dhe aftësitë në gjuhën italiane si gjuhë e huaj, thuhet në një njoftim të kësaj qendre.
Këto provime artikulohen në 6 nivele sipas modelit të Kuadrit të Përbashkët Europian të Referimit për gjuhët, nga CELI Përqasje-A1, CELI 1-A1 deri tek CELI 5- C2.
Ministria Italiane e Arsimit, Universitetit dhe e Shkencës njeh CELI 3 si çertifikatë të vlefshme për të vërtetuar njohjen e gjuhës italiane e nevojshme kjo, për tu regjistruar në Universitet në Itali brenda kontingjentit që secili Universitet përcakton për studentët e huaj.
CELI 4 dhe CELI 5 njihen gjithashtu si çertifikata të vlefshme për të vërtetuar njohjen e gjuhës italiane në kushte të barabarta me studentët italianë.
CELI është një ndër certifikimet kyce për aplikim në institucione shkollimi dhe punësimi në Itali.
Organizmi i provimit të gjuhës italiane në Prishtinë është akredituar nga Ministria e Punës së Jashtme, dhe Ministria e Arsimit të Italisë.
Provimi do të organizohet sot, në Qendrën e gjuhës dhe kulturës italiane Dante në Prishtinë.