Mbahet konferenca "Shumëgjuhësia: vlerë dhe apo obligim"
Prishtinë, 26 shtator - Për nder të Ditës Evropiane të Gjuhëve, sot në Prishtinë u mbajt konferenca me temën Shumëgjuhësia: vlerë dhe apo obligim.
Në konferencën e organizuar nga Zyra e Komisionerit për Gjuhët në bashkëpunim me Organizatën joqeveritare Kosovo United States Alumni dhe përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të organizatave ndërkombëtarë e të shoqërive civile.
Gjatë fjalimit të tij, Slavisa Mladenoviç, komisioner për gjuhët në zyrën e Kryeministrit, përkatësisht në atë të Komisionit të Gjuhëve, theksoi rëndësinë e dygjuhësisë si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë kulturor dhe social. Ai u shpreh se Kosova ka kornizë ligjore përparimtare, por vuri në dukje se raportet vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se ka ende ngecje në implementimin e ligjit të gjuhëve. Në këtë aspekt, ai theksoi se rolin kryesor e luajnë mungesa e kapaciteteve në institucioneve dhe mungesa e vetëdijesimit.
Çelësi i të gjitha problemeve është në arsim, përmes arsimit do të zgjidhim mungesën e kapaciteteve, mungesën e vetëdijes dhe me arsim do të mundësojmë shumëgjuhësi më të mirë dhe integrim të gjithë komuniteteve në Kosovë. Prandaj është me rëndësi të fillojmë të mësojmë gjuhën e njëri-tjetrit që me fqinj të mos flasim anglisht, por që serbi të flet shqip dhe shqiptari të flet boshnjakisht apo turqisht, u shpreh Mladenoviç.
Ndërkaq, Naim Ismajli, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës u shpreh se përdorimi i gjuhëve nuk është vetëm obligim kushtetues dhe e drejtë e qytetarëve, por edhe një vlerë e rëndësishme gjithpërfshirëse. Ai shtoi se në nivelin e shërbimeve gjuhësore, një prej problemeve kryesore është buxheti, ku në komunat e vogla ka pak zyrtarë për gjuhë.
Duke folur rreth sfidave të aplikimit të gjuhëve, Ismajli u shpreh se Vullneti nuk duhet të mungojë në asnjë institucion dhe në asnjë komunë, pavarësisht nëse komuna është me shumicë shqiptare, serbe apo turke. Ne duhet të përpiqemi që vullnetin ta kemi në maksimum në shërbim, duke u nisur se kemi obligim kushtetues, kemi obligim ti përmbushim të drejtat e njeriut dhe ta shohim si vullnet të një vlere të shtuar.
Kurse, Ardian Zeqiri, drejtor i qendrës Evropiane për çështje të minoriteteve në Kosovë, ECMI, u shpreh se kjo çështje është edhe vlerë, por edhe obligim. Ai bëri të ditur se në nivele lokale, çdo komuniteti që përbën më shumë se 5 përqind të popullsisë i jepet e drejta e gjuhës zyrtare.
Eshtë e vërtetë se Kosova ka një kornizë jashtzakonisht të avancuar sa i përket gjuhës dhe përdorimit të gjuhëve. Kosova definohet si shoqëri ku gjuha shqipe dhe gjuha serbe kanë të drejtat e barabarta, pra është një shoqëri dygjuhësore. Pastaj edhe gjuha turke ka të drejta të veçanta edhe në nivel komunal por edhe në nivel qendror, u shpreh Zeqiri.