Mbahet konferenca e kombëtare e vlerësimit
Prishtinë, 26 shtator - Programi për Arsim Themelor i USAID-it dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, organizojnë Konferencën e Tretë Kombëtare të Vlerësimit.
Tema e konferencës dy-ditore për këtë vit është Reformimi i vlerësimit në përputhje me kurrikulën e re.
Dita e parë e Konferencës, e cila mbahet më 26 shtator, synon të informojë palët kryesore mbi procesin për reformave aktuale kurrikulare përfshirë Drejtoritë Komunale të Arsimit, shkollat e përfshira në reformën kurrikulare, sektorët e caktuar brenda MASHT-it, dhe publikun e gjerë.
Po kështu, do të shqyrtohen edhe proceset e zhvilluara rishtazi në reformimin e sistemit të vlerësimit të nxënësve në Kosovë.
Veç kësaj, dita e parë e konferencës ka për qëllim të marrë informacione nga 10 shkollat pilote të kurrikulës së re për ecurinë e procesit, si dhe rekomandime tjera të dala nga konferenca gjatë zhvillimit të Udhëzuesit për Vlerësim, të cilin MASHT planifikon ta shpërndajë në shkolla si pjesë e pakos për implementimin e kurrikulës së re.
Dita e dytë e konferencës, më 27 shtator, do të ketë në fokus mësimdhënësit, fasilituesit shkollorë dhe drejtorët e shkollave.
Mësimdhënësit të cilët kanë aplikuar vlerësimin formativ do të fasilitojnë sesione interaktive me kolegët e tyre.
Gjithashtu, mësimdhënësit të cilët kanë aplikuar hulumtimin në veprim si mjet për të përmirësuar mësimdhënien dhe mësimnxënien do të prezantojnë punën e tyre dhe të ndajnë idetë me kolegët e tyre.