Mbahet dita e dytë e provimit pranues në Universitetin Ukshin Hoti në Prizren
Prizren, 19 korrik - Në Universitetin Ukshin Hoti në Prizren, të martën ka vazhduar dita e dytë e provimit pranues për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2016/2017, në afatin e parë. Procesi është zhvilluar pa probleme në Fakultetin e Edukimit dhe në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike.
Për mbarëvajtjen janë kujdesur komisionet përkatëse. Rektori i UPZ-së, Prof. Dr. Ramë Vataj edhe në ditën e dytë i shoqëruar nga prorektori Prof. Ass. Dr. Kadri Kryeziu, ka vizituar dy njësit akademike ku është siguruar se gjithçka po shkon në bazë të rregullave të parapara. Rektori u uroi të gjithë kandidatëve suksese në provimin pranues në afatin e parë dhe i njoftoi se do të ketë edhe një afat të dytë për të gjithë ata që nuk do të arrijnë pikët e nevojshme për regjistrim në afatin e parë qoftë në UPZ qoftë në universitete e tjera publike. Vlen të theksohet se në afatin e parë UPZ do të pranojë 1330 studentë ndërsa kanë konkurruar gjithsej 2077 maturantë.
Interesimi është i kënaqshëm në të gjitha drejtimet. Konkurrenca më e madhe është në Fakultetin e Edukimit, të Filologjisë dhe atë Ekonomik. Interesimi i kënaqshëm është edhe për fakultetet e tjera, si Juridik, FFSHK dhe FSHJM. Të martën do të vazhdoj mbajtja e provimit pranues në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe në Fakultetin e Edukimit.