Mbahen provimet pranues në Universitetin e Gjilanit
Prishtinë, 31 gusht - Universiteti Publik “Kadri Zeka”, në Gjilan, respektivisht Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Fakulteti i Shkencave Aplikative kanë mbajtur sot provimet pranuese të studimeve baçelor për vitin akademik 2021/2022.
Për të parë nga afër këtë proces, menaxhmneti i Universitetit, ka vizituar disa nga sallat ku janë mbajtur provimet pranuese, derisa të gjithë kandidatëve u kanë dëshiruar suksese.
Prorektori për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi, është shprehur i kënaqur me mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e ecurisë së testit pranues të studentëve të rinj të cilën dëshirojnë të jenë pjesë e Universitetit tonë.
Për Fakultetin Juridik dhe Fakultetin Ekonomik, provimi pranues do të mbahet nesër, më datë 01.09.2021.
Më së voni deri më datë 02.09.2021, në ora 16:00 do të bëhet shpallja e rezultateve preliminare, në ndërkohë është paraparë edhe periudha e ankimit. Kandidatët të cilët sipas rezultatit preleminar renditen si kandidatë të papranuar, mund t’i paraqesin ankesë fakultetit përkatës më së largu 48 orë pas publikimit të rezultateve preliminare (llogaritet edhe dita e shtunë). Ankesat bëhen më së voni deri më datë 04.09.2021, në ora 16:00.
Shpallja e rezultateve përfundimtare të provimit pranues do të bëhet në tabelat e shpalljeve si dhe në ueb-faqen e universitetit, pas shqyrtimit të ankesave sipas grupeve të fakulteteve, bazuar në datat e mbajtjes së provimit pranues dhe atë: më së voni deri më datë 06.09.2021.