24 Dhjetor 2024

Matura s’do të anulohet në tërësi

Prishtinë, 16 qershor -  Në çdo qendër të testimit ku është mbajtur Provimi i Maturës Shtetërore dhe ka pasur parregullsi testi do të anulohet. Por, kjo do të bëhet vetëm pasi të mblidhen faktet që shpijnë në anulimin e testit. Kështu janë zotuar të dielën, një ditë pas mbajtjes së testit, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Mustafë Kadriu, shef i Divizionit për Standarde, Monitorim dhe Vlerësim në MASHT, ka vlerësuar se pjesa e parë e Provimit të Maturës në shumicën e qendrave ka shkuar mirë, por ka pasur grupe të organizuara të cilat në disa qendra kanë organizuar kopjim dhe që e kanë komprometuar procesin.

“MASHT-i, me gjithë kapacitetin e vet, në bashkëpunim edhe me UP, DKA-të, ka organizuar pjesën e parë të Maturës Shtetërore. Konsideroj se ishte një punë e madhe dhe e suksesshme. Në bazë të raporteve gojore që na kanë ardhur nga kryetarët e qendrave, masa më e madhe ka deklaruar se procesi ka shkuar mirë, por në dy-tri vende nuk ka shkuar sipas planit. Pra, tani ka mbetur të shihen faktet që në ato qendra të anulohet testi. Pavarësisht se në shumicën e qendrave ka shkuar mirë, sigurisht ka pasur tendenca ta prishin këtë proces”, ka thënë Kadriu. Sipas tij, Policia e Kosovës ka bërë një punë për t’u vlerësuar meqë ka arritur t’i godasë disa grupe që kanë dashur ta prishin maturën.

Sipas tij, kjo dëshmohet edhe me punën efikase kur policia ka zënë në flagrancë një grup në njërin nga konviktet e Qendrës së Studentëve, të cilët u kanë dërguar maturantëve përgjigjet e pyetjeve nëpërmjet telefonave. “Paraprakisht Policia e Kosovës kishte informacione se në disa qendra, veçanërisht në komunën e Gjilanit, po shiten kartela të telefonave për mundësinë e shfrytëzimit për komunikim gjatë testit. Kur ka filluar kjo tendencë në Qendrën e Studentëve shumë shpejt policia i ka izoluar”, ka shtuar ai. 

Sipas Kadriut, nga ajo që është parë shumica e përgjigjeve të pyetjeve të testit, që ky grup ua ka dërguar maturantëve, kanë qenë të pasakta. “Nga ajo që pashë detyrat maturantëve u kanë mbetur në gjysmë sepse shpejt i ka hetuar policia. Ka qenë mobilizim i madh, por ato të dhëna që ne i kemi marrë do t’i krahasojmë pas leximeve dhe do të konstatojmë nëse përputhen të dhënat statistikore me ato që janë dhënë në ‘Facebook’. Sigurisht se ato raste do t’i evidentojmë dhe rezultatet e tyre do të anulohen. Prandaj kudo që kryetarët e komisioneve sjellin fakte për manipulim të testit duhet të anulohet”, ka thënë Kadriu.

Ai ka treguar se meqë shumica e qendrave kanë shkuar mirë nuk ka mundësi që matura të anulohet në tërësi. “Aty ku kemi fakte do ta anulojmë testin, por nëse është nevoja që e gjithë matura të anulohet, ne do ta bëjmë. Kjo shoqëri duhet ta kuptojë se MASHT-i është i interesuar që procesi të shkojë sipas ligjit dhe rregullave”, ka thënë Kadriu. Ai e ka vlerësuar edhe bashkëpunimin me shumicën e drejtorive komunale të arsimit, të cilat, sipas tij, kanë qenë të interesuara që gjithçka të shkojë mirë.

Kadriu ka treguar se komuna e Prishtinës ka qenë e interesuar që procesi të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme. “Disa drejtori komunale të arsimit kanë pasur tendencën ta prishin procesin. Po ashtu, ka pasur edhe tendencë nga mësimdhënësit që janë administrues. Ata mësimdhënës ne i kemi të evidentuar. Unë mendoj se duhet të listohen dhe të publikohen emrat e tyre, pastaj t’ua dërgojmë DKA-ve të cilat kanë përgjegjësi të marrin masa”, është shprehur ai. Ai ka treguar se nga raportet që ka marrë nga kryetarët e qendrave të testimit, ka pasur telashe në një qendër në Lipjan, disa qendra në Gjilan dhe një qendër në Prishtinë.

Kadriu ka thënë se testi do të anulohet në qendrat ku ka pasur kopjime, pra aty ku janë përdorur telefonat. Kadriu ka shprehur optimizëm se në pjesën e dytë të provimit që do të mbahet më 28 qershor do të eliminohen këto parregullsi.

“Njerëzit duhet ta kuptojnë se ata që e prishin procesin do të dënohen. Ne do të takohemi me kryetarët e komisioneve, ata do të jenë më të përgjegjshëm dhe aty ku sheh parregullsi do ta largojë edhe administruesin edhe nxënësin sepse ndryshe ata do të përgjigjen”, ka thënë Kadriu.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)