MAShT publikoi rezultatet e Testit të Arritshmërisë
Prishtinë, 8 qershor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka publikuar rezultatet e Testit të Arritshmërisë, të cilit i janë nënshtruar rreth 34 mijë nxënës të klasave të nënta në gjithë Kosovën.
Azem Guri, këshilltar i ministrit Bajrami, bëri të ditur se rezultati i përgjithshëm në këtë test është 62.6 përqind dhe se rezultatet e arritura në test do t u shërbejnë nxënësve për regjistrim në shkollat e mesme të larta.
Qëllimi i Testit të Arritshmërisë është që të maten njohuritë dhe shkathtësitë e nxënësve dhe njëkohësisht nxënësve të klasave të nënta ky rezultat do t u shërbejë për regjistrim në shkollat e mesme të larta. Publikimi i konkursit i cili bëhet në Drejtoritë Komunale të Arsimit, mbi bazën e kritereve që i ka paraparë MAShT do të bëhet në të njëjtën kohë në të gjitha komunat, pra më 18 qershor. Konkursi do të jetë i hapur tri ditë, theksoi Guri.
Këshilltari Guri theksoi se, pavarësisht rezultateve të kënaqëshme, Ministria e Arsimit është e fokusuar në avancimin e cilësisë në arsim.
Guri falënderoi drejtoritë komunale të arsimit, drejtorët e shkollave, administruesit, komisionerët dhe në veçanti nxënësit dhe prindërit, të cilët kanë kontribuar që procesi i testimit të shkojë mbarë.
Rezultati i arritshmërisë sipas lëndëve është: Gjuhë Amtare 63.9 përqind, Gjuhë Angleze 85.8, Histori 65.0, Gjeografi 57.6, Matematikë 63.8, Informatikë 72.6, Fizikë 48.2, Kimi 57.9 dhe Biologji 61 përqind.
Testi i mbajtur më 22 maj, është oragnizuar në tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe turke. Nga 34 mijë nxënës që kanë testuar arritshmërinë deri në këtë nivel të shkollimit, 346 kanë qenë të komunitetit boshnjak dhe 231 të komunitetit turk.