MAShT pjesë aktive e strategjisë për luftimin e trafikimit
Prishtinë, 18 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, mori pjesë në lansimin e fushatës kombëtare kundër trafikimit me qenie njerëzore me moton Hapi sytë.
Ministri Buja u shpreh se MAShT është në gatishmëri të plotë për angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve arsimore në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.
MAShT ka qenë dhe është pjesë aktive e punës në zbatimin e Strategjisë nacionale dhe Planit të veprimit për luftimin e trafikimit, duke ushtruar fuqishëm rolin e vet në parandalimin e kësaj dukurie të shëmtuar, nëpërmjet edukimit dhe arsimimit cilësor, ka thënë ministri Buja.
Më pastaj, ministri Buja tha se MAShT e ka integruar me kohë çështjen e trafikimit në planprogramin e Lëndës Edukatë qytetare, lëndë e cila mësohet në të gjitha nivelet e arsimit, si edhe te lënda Aftësitë për jetë me kapitull të veçantë.
Po ashtu, përmes trajnimeve të mësimdhënësve, MAShT në bashkëpunim me partnerët e vet e ka ofruar edhe qasjen ndërkurrikulare dhe ekstrakurrikulare për parandalimin sa më efikas të problemit të trafikimit me njerëz, theksoi ministri Buja, duke shtuar se MAShT ka krijuar lehtësira në rinintegrimin e viktimave në sistem arsimor.
Në vazhdim ministri Buja tha se duke qenë pjesë e grupin ndërministror kundër trafikimit me qenie njerëzore, MAShT së bashku me institucionet tjera qeveritare dhe joqeveritare koordinon aktivitetet kundër trafikimit.
Tani kur po e hapim fushatën e Muajit Antitrafikim (18 shtator- 18 tetor), drejtoritë komunale dhe shkollat janë të informuara për aktivitetet e institucioneve të ndryshme, që do të ndodhin në shkolla dhe komuna, ka thënë ministri Buja.
Ministri i arsimit, z.Ramë Buja, gjithashtu theksoi se Njësia për të Drejtat e Njeriut në kuadër të MAShT, u ka sugjeruar të gjitha shkollave të arsimit parauniversitar, që të realizojnë ekspozita dhe aktivitete të ndryshme me temë kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Ndërsa në kuadër të kësaj fushate, janë caktuar 10 shkolla, ku do të debatohet me nxënës, me qëllim të informimit për rolin e shkollës në parandalim të trafikimit.
Ndryshe, kjo fushatë do të zgjasë një muaj (18 shtator-18 tetor 2013) ka për qëllim ndërgjegjësimin e publikut të gjerë, bashkimin e akterëve vendorë e ndërkombëtarë, të cilët janë të kyçur në luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore me qëllim parandalimi.