23 Dhjetor 2024

MAShT organizoi konferencën për Rishikimin e Përbashkët Vjetor

Prishtinë, 4 mars - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka organizuar konferencën dyditore “Rishikimi i Përbashkët Vjetor (RPV) 2014”, i zhvillimeve në sektorin e Arsimit në Kosovë.

Qëllimi i kësaj konference është prezantimi i të arriturave dhe sfidave për vitin 2013, si dhe nxjerrja e rekomandimeve për hartimin e politikave të MAShT-it.

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, pasi ka folur për rëndësinë e procesit të RPV-së në analizimin e progresit, kufizimeve dhe sfidave të Ministrisë së Arsimit, të cilat dalin nga Plani Strategjik i Arsimit të Republikës së Kosovës 2011/ 2016, ka theksuar se debatet e shumta të cilat do të zhvillohen në këtë konferencë, do të mundësojnë identifikimin e prioriteteve të rëndësishme.

Zv/ministri Mustafa e ka vlerësuar të nevojshëm dhe të domosdoshëm bashkëpunimin e MAShT-it me ministritë tjera, në veçanti me Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e  Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrinë e Shëndetësisë, të cilat kanë çasje në zhvillimin e arsimit në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, zv/ministri Mustafa ka thënë se politikat zhvillimore të arsimit në Kosovë janë të orientuara në gjithëpërfshirje dhe ngritje të cilësisë, ndërsa ka përmendur promovimin dhe zhvillimin e ndërmarrësisë dhe kompetencave në të gjitha nivelet e arsimit, zhvillimin dhe zbatimin e mekanizmave dhe procedurave për përmirësimin e performancës, rritjen e pjesëmarrjes në të gjitha nivelet, me fokus në arsimin parashkollor, rritjen e cilësisë në të gjitha nivelet, me fokus në arsimin e  mesëm të lartë dhe në arsimin e lartë, investimin në infrastrukturë dhe në teknologji, përmirësimin e performancës, promovimin e shkencës dhe zhvillimin e kapaciteteve për kërkime shkencore.

Përfaqësuesja e Ambasadës së Suedisë, Maria Melbing theksoi se raporti, i cili identifikon prioritetet për vitin 2014 është tejet i rëndësishëm edhe për identifikimin e burimeve të financimit.

Ndërkaq, Sofie Beaumont nga Komisioni Evropian tha se RPV është një praktikë e mirë të cilën do të duhej që ta organizonin edhe ministritë tjera, në mënyrë që të vlerësojnë punën e dymbëdhjetë muajve të fundit. Beaumont tha se raporti i të arrituarve dhe sfidave për vitin paraprak do të shërbejë për matjen e suksesit dhe përcaktimin e prioriteteve për vitin e ardhshëm.

Rishikimi i Përbashkët Vjetor, i cili ka në fokus shqyrtimin dhe trajtimin e çështjeve më madhore në fushën e arsimit, këtë vit për herë të parë financohet nga buxheti i Ministrisë së Arsimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)