15 Nëntor 2024

MASHT organizoi debat lidhur me zbatimin e Ligjit për Kualifikimet Kombëtare

Prishtinë, 17 prill - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Këshilli drejtues i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve organizuan debat lidhur me zbatimin e Ligjit për Kualifikimet Kombëtarë Nr. 03/L-060 nga institucionet përgjegjëse. Në debatin e organizuar u diskutua për temat: analizimi i situatës në institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, bashkëpunimi dhe bashkërendimi ndërinstitucional për Arsimin Profesional, detyrat dhe obligimet në zbatimin e KKK-së, implementimi i vendimit nr. 189/01 për IAAP, raportimi në Bruksel për vitin 2018 lidhur me progresin e arritur në kuadër të procesit të referencimit etj.

Këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Fehmi Hysenaj foli për rëndësinë e debatit sa i përket trajtimit të temave të përfshira për diskutim, duke qenë se Korniza Kombëtare e Kualifikimeve është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe në  vete ngërthen tetë nivele të kualifikimit të cilat janë me rëndësi kombëtare.

Këshilltari Hysenaj, tha se Ministria e Arsimit është e përkushtuar që procesi i kualifikimit të vazhdojë duke respektuar të gjitha standardet dhe kriteret e përcaktuara në bazë të KKK-së, e që është në përputhje me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve. Ai gjithashtu bëri apel që të gjitha institucionet e arsimit profesional të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm për akreditim, në mënyrë që të kemi diploma të pranueshme kudo në tregun e punës.

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, Lah Nitaj ka thënë se AKK ka shënuar progres ndër vite dhe konsiderohet institucion kredibil i cili përmbush obligimet dhe detyrat ligjore, në funksion të shoqërisë kosovare.

Nitaj ka theksuar se AKK deri më tani ka akredituar rreth 50 institucione të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe janë aprovuar 35 kualifikime profesionale, ndërkaq ka bërë të ditur se, me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe rritjes së transparencës, këtë vit pritet që të fillohet me monitorimin e institucioneve të akredituara.

Në këtë debat gjithashtu u tha që do të merren të gjithë hapat e nevojshëm që raportimi në Bruksel për vitin 2018 të përgatitet i detajuar dhe në koordinim dhe bashkëpunim me të gjithë akterët që përfshihen në këtë proces, në mënyrë që të shënohet progres në këtë aspekt.

Në debat të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Bordit të AKK-së, Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional, Agjencia për Punësim në MPMS, përfaqësues ndërkombëtar etj. Kosova është në mesin e 39 shteteve anëtare të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)